Teuta ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Laçit, duke triumfuar 2-1 në sfidën e javës së tretë të Kategorisë Superiore. Durrsakët zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë, duke shënuar dy herë dhe duke krijuar disa mundësi të tjera për gol, ndërsa Laçi reagoi pas pushimit, por nuk arriti të shmangte humbjen.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe Teuta fitoi një penallti që në minutën e 7-të. Kapiteni Kallaku mori përsipër ekzekutimin dhe në minutën e 9-të nuk gaboi, duke kaluar durrsakët në avantazh.

Laçi u përpoq të reagonte, por Teuta goditi sërish vetëm tre minuta më vonë. Pas një krosimi të Kallakut në zonë, Wotlai përfitoi dhe mposhti portierin Guri, duke çuar rezultatin në 0-2.

Durrsakët patën mundësi të tjera për të thelluar avantazhin. Në minutën e 22-të, Kallaku nxori një pasim fantastik për Umeijegon, por ky i fundit shpërdoroi një rast të artë. Laçi gjithashtu pati mundësitë e tij, me Bibon që iu afrua golit në disa raste dhe me Bernardonin që u bë protagonist me pritjet e tij.

Në minutën e 37-të, Laçi fitoi një penallti dhe pati mundësinë për t’u rikthyer në lojë. Megjithatë, avantazhi i Teutës mbeti i paprekur. Para fundit të pjesës së parë, Kallaku pati edhe një tjetër mundësi për të shënuar, por Kurti e mohoi golin.

Pas pushimit, trajneri Qatip Osmani kreu dy zëvendësime, duke hedhur në fushë Ndubuisi dhe Cenën. Laçi u shfaq më kërkues dhe në minutën e 47-të Traore provoi të shkurtonte diferencën, por Bernardoni reagoi sërish mirë.

Teuta vazhdoi të kërcënonte në kundërsulm dhe Umeijego shpërdoroi një tjetër mundësi të mirë. Në minutën e 64-t, Laçi më në fund gjeti golin. Bibo lëshoi një goditje të fortë me të djathtën nga jashtë zone, duke mposhtur Bernardonin dhe duke e çuar rezultatin në 1-2.

Kurbinasit besuan te barazimi dhe në minutën e 69-të patën një tjetër moment të rëndësishëm. Kallaku pasoi për Dacin, i cili goditi me kokë dhe topi përfundoi në rrjetë pas një gabimi të Gurit. Megjithatë, pas konsultimit me VAR, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Laçi kërkoi edhe penallti në minutën e 73-të pas një prekjeje të topit me dorë në zonë, por gjyqtari Enea Jorgji vendosi të akordojë vetëm goditje këndi, duke shkaktuar protesta nga vendasit.

Në minutat e fundit, Teuta u vu nën presion. Në të 78-ën, Daci humbi ekuilibrin në një moment shumë të favorshëm dhe nuk arriti të shënonte, ndërsa Guri dhe Ndubuisi shpëtuan vendasit nga një gol i tretë.

Në fund, Teuta ruajti avantazhin dhe mori tre pikë të çmuara në transfertë. Pas tri javësh kampionat, të dyja skuadrat kishin nisur me nga katër pikë, ndërsa kjo fitore i jep durrsakëve një shtysë të rëndësishme në ndjekje të kreut, ku Egnatia është shkëputur.

 

Laçi 1-2 Teuta
Bibo 64′ / Kallaku 9′ (P), Votlai 12′

Top Channel