Birra, thumbime, simulime dhe përplasje ballë për ballë, Amorim, sa tensione të përjetuara me Sergio Conceiçao
Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi mund të luajnë për herë të parë në të njëjtën skuadër.
Dy prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë mund të bashkohen në një ndeshje speciale lamtumire për ish-shokun e tyre të skuadrës, Carlos Tevez.
Ronaldo dhe Messi kanë qenë protagonistët e një prej rivaliteteve më të mëdha në historinë e futbollit. Për rreth dy dekada, dy yjet kanë konkurruar për trofe, rekorde dhe çmime individuale, ndërsa janë përballur gjithsej 37 herë me klubet dhe kombëtaret e tyre.
Por tashmë ekziston mundësia që rivaliteti i tyre të marrë një kthesë të papritur: ata mund të ndajnë të njëjtën fushë si bashkëlojtarë.
Sipas raportimeve nga Argjentina, Carlos Tevez po planifikon një ndeshje lamtumire në stadiumin legjendar La Bombonera, me një datë paraprake të vendosur për muajin dhjetor.
Tevez, 42 vjeç, u tërhoq nga futbolli profesionist në vitin 2021, ndërsa luante për Boca Juniors, klubin e zemrës ku edhe nisi karrierën e tij.
Ish-sulmuesi argjentinas synon ta mbyllë në mënyrë spektakolare kapitullin e tij me futbollin, duke organizuar një ndeshje ku pritet të marrin pjesë disa prej futbollistëve me të cilët ka ndarë fushën gjatë karrierës.
Plani parashikon që Tevez të formojë një skuadër me miq dhe persona të afërt nga karriera e tij, ndërsa përballë tyre të luajnë futbollistë me të cilët ai ka qenë bashkëlojtar në klube apo me kombëtaren.
Në listën e yjeve të mundshëm janë edhe Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.
Messi ka luajtur 47 ndeshje me Tevezin në kombëtaren argjentinase, duke i dhënë gjashtë asistime. Në krahun tjetër, Tevez ka qenë bashkëlojtar me Ronaldon në 80 ndeshje gjatë periudhës së tyre te Manchester United.
Argjentinasi ka dhënë katër asistime për Ronaldon, ndërsa portugezi i ka dhënë pesë asistime Tevezit.
Kjo lidhje e veçantë me të dy superyjet e bën ndeshjen e lamtumirës së Tevezit një mundësi reale për një moment historik.
Megjithatë, planet janë ende në fazat fillestare dhe nuk është konfirmuar nëse Messi dhe Ronaldo do të pranojnë ftesën. Gjithashtu, nuk dihet ende se në cilën skuadër do të luante Messi nëse do të merrte pjesë.
Nëse të dy yjet do të zbresin në fushë, bota e futbollit mund të shohë për herë të parë Messin dhe Ronaldon në të njëjtën skuadër, edhe pse vetëm për një ndeshje speciale.
Një skenar që, pas dy dekadash rivalitet, do të ishte padyshim një nga momentet më të veçanta në historinë e futbollit.
Top Channel