Mbrëmjen e së premtes u pa një ndeshje shumë intensive në La Cartuja mes Betisit dhe Realit të Madridit e përfunduar me fitoren 1-0 të andaluzianëve.

Ishte një ndeshje ku rezultati nuk ishte i sigurt në asnjë moment dhe në minutat e fundit, Kylian Mbappe humbi një 11 metërsh, ndërkohë që pati edhe një gol të anuluar për pozicion jashtë loje.

Për skuadrën e Betis e sidomos për administratorin e rrjeteve sociale të klubit nata ishte e gjatë; duhej festuar marrja e tre pikëve dhe llogaria zyrtare e klubit andaluzian në rrjetin social X u mbush plot me mesazhe festive. Por një prej këtyre mesazheve iu dedikua trajnerit të Realit të Madridit, Jose Mourinho duke ironizuar një deklaratë të portugezit të bërë pas përfundimit të ndeshjes.

‘Urime Betisit, që luajti për të barazuar dhe fitoi lotarinë’-ishin fjalët e teknikut të Los Blancos dhe kundërpërgjigjja e Betisit ishte e menjëhershme dhe therrëse

‘Lotarinë e kemi fituar prej kohësh. Faleminderit që na drejtuat drejt fitores-shkruhej në mesazhin e Betis që në këtë mënyrë iu drejtua edhe tifozerisë së saj duke e falenderuar për mbështetjes.

Një tjetër moment që u reflektua në rrjetet sociale ishte edhe pritja e portierit Valles në penalltinë e Mbappe në minutën e 92. ’90 minuta zgjasin shumë në La Cartuja’-shkruhej në atë postim.

Top Channel