Zjarret shkatërruese në Europë, 5.4 milionë hektarë tokë e djegur vetëm këtë verë

04/09/2026 16:30

Që nga mesi i qershorit, rreth 5.4 milionë hektarë tokë janë djegur në Bashkimin Evropian, në më shumë se 1,000 zjarre, sipas të dhënave satelitore të sistemit evropian të monitorimit të zjarreve, Effis.

Që nga fillimi i vitit, sipërfaqja totale e djegur në BE ka arritur në rreth 6.47 milionë hektarë. Rreth 80% e kësaj sipërfaqeje është përfshirë nga zjarret që shpërthyen mes 18 qershorit dhe 2 shtatorit.

Sipërfaqja e djegur vetëm gjatë kësaj periudhe është rreth 54 mijë kilometra katrorë, një sipërfaqe afërsisht nëntë herë më e madhe se ajo e Madridit.

Sipërfaqja totale e djegur këtë verë është dukshëm mbi mesataren e 20 viteve të fundit. Megjithatë, ajo mbetet nën nivelet rekord të vitit 2025, kur zjarret dogjën më shumë se 8 milionë hektarë, si dhe nën rekordin e vitit 2007, sipas të dhënave të Effis, të cilat datojnë që nga viti 2006.

Zjarret më shkatërruese të këtij viti u regjistruan kryesisht gjatë korrikut, ndërsa numri më i madh i tyre u shënua në gusht.

Vetëm gjatë javës 16–22 korrik u dogjën rreth 1.9 milionë hektarë, një rekord për këtë javë të korrikut që nga fillimi i regjistrimeve të harmonizuara javore të Effis, të paktën që nga viti 2006.

Kjo sipërfaqe përbën rreth 30% të gjithë tokës së djegur në BE që nga fillimi i vitit.

Gjatë kësaj periudhe shpërthyen njëri pas tjetrit tre zjarre jashtëzakonisht të mëdha: dy në Spanjë dhe një në Francë.

Në provincën spanjolle të Ávilës, pranë Madridit, një zjarr më 22 korrik dogji më shumë se 420 mijë hektarë. Po atë ditë, një tjetër zjarr masiv në Gironde, pranë Bordosë në Francë, shkatërroi rreth 370 mijë hektarë.

Në gusht, një zjarr i madh në provincën e Huelvës, në Spanjë, dogji rreth 440 mijë hektarë.

Në total, katër nga 15 zjarret më të mëdha të dekadës së fundit ndodhën gjatë këtij sezoni, sipas të dhënave të Effis.

Franca e kishte thyer rekordin e saj vjetor për sipërfaqen e djegur që në fund të korrikut, duke tejkaluar rekordin e vendosur që nga fillimi i regjistrimeve.

Edhe Spanja iu afrua rekordit të saj për këtë periudhë të vitit për disa javë. Në mesin e gushtit, sipërfaqja e djegur madje e tejkaloi përkohësisht rekordin, përpara se shifrat të nisnin të uleshin sërish.

Greqia, Portugalia dhe Italia u përballën gjithashtu me zjarre të shumta, siç ndodh shpesh gjatë verës në Evropën Jugore.

Por zjarret nuk u kufizuan vetëm në jug të kontinentit. Edhe disa vende të Evropës Veriore u përballën me vatra zjarri, përfshirë një zjarr me përmasa historike në Belgjikën lindore, i cili dogji dhjetëra mijëra hektarë dhe kontribuoi në thyerjen e rekordit kombëtar të sipërfaqes së djegur në një vit që nga viti 2006.

Të dhënat e Effis përfshijnë zjarret që kanë prekur një sipërfaqe minimale prej 300 hektarësh.

Shifrat mund të ndryshojnë nga të dhënat zyrtare të autoriteteve kombëtare, për shkak të metodologjive të ndryshme të matjes. Po ashtu, vlerësimet mund të përditësohen me mbërritjen e të dhënave të reja satelitore.

Ekspertët theksojnë se thatësira ekstreme dhe temperaturat e larta, të përforcuara nga ndryshimet klimatike, kanë krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve shkatërruese në Evropë këtë verë.

Top Channel