Në ceremoninë hapëse të edicionit të 14-të të Festivalit të Filmit Shqiptar, u nderuan me çmim karriere 16 figura ikonike të kinematografisë. Në falënderimin e tij, i emocionuar, Mjeshtri i Madh Reshat Arbana kujtoi emrat e paharruar të kinemasë sonë, shprehu mirënjohje për publikun dhe shprehu një dëshirë…
“Në këto kohë të çmendura që po jetojmë, ngjarje si kjo e sotmja janë evenimente me rëndësi të madhe. Ia dedikoj këtë çmim dhe atyre të dashurve aktorë. Jam i lumtur, nuk dal dot në Pazar, nuk ulem dot në kafe se të gjithë duan të rrinë me mua. Është zakon që kur merr një çmim të tillë, thua ‘i premtoj popullit se do të bëj role etj. etj.’. Dhe unë po them që do të përpiqem… jo në teatër se nuk e kam mundësinë, por ndonjë rol në film që më përshtatet”, tha aktori Reshat Arbana.
Aktorja Roza Anagnosti e pranoi çmimin mes lotëve, duke kujtuar partnerin e skenës dhe jetës, regjisorin Dhimitër Anagnosti, që u nda nga jeta një vit më parë.
“Falënderoj Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe organizatorët e Festivalit për këtë vlerësim. Më mirë vonë se sa kurrë! Do doja që Dhimitrin ta kisha në krah, sepse ky çmim është vlerësim, është edhe për të, për bashkëshortin tim, bashkëpunëtorin tim të një jete”, tha aktorja Roza Anagnosti.
Artistët i lënë stafetën një brezi të ri kineastësh, të cilëve ua njohin mirë sfidat dhe vështirësitë.
“Tani me këtë medalje, unë mbyll kapitullin e filmit të 58 viteve. Kjo është qershia mbi tortë për karrierën time”, tha regjisori Esat Musliu.
“Në veçanti, i jam falënderues të gjithë atyre që konkurrojnë në këto dhjetë ditë, sepse duke ditur çfarë do të thotë të prodhosh film sot, meritojnë duartrokitje të madhe! Ka ardhur një moment që duhet të vëmë dorë seriozisht në kinematografinë shqiptare”, tha Petrit Beci.
Drejtori artistik i Festivalit citoi Dhimitër Anagnostin për të theksuar nevojën që kanë artistët e rinj për mbështetje.
“Ju lutem vadisni filizat. Janë investuar në vite që nga koha e Kinostudios breza të tërë kineastësh, ju lutem mos lini të harrohet gjithçka që kanë bërë. Sot kemi një brez të ri kineastësh të talentuar, ju lutem mos i lini në harresë duke i anashkaluar. Këto festivale i kemi detyrim!”, tha drejtori artistik i Festivalit Ilir Butka.
“Ju bëni një punë heroike, me shumë pak buxhete, por që e bëni sepse e doni shumë këtë punë, është përgjegjësi për ne të shfaqim filmat tuaj këtu”, tha producentja e Festivalit Rafaela Rica.
Edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit bëri një mea culpa për mungesën e Festivalit për gati një dekadë e gjysmë.
“Pa film kombëtar dhe pa festival kombëtar, nuk mund të ketë rezultate të larta ndërkombëtare. Kjo është dhe një autokritikë, një lloj ndjese që festivali ka munguar këto 13-14 vite…”, tha Blendi Gonxhe.
Organizatorët vunë në dukje nevojën për mbështetje më të fortë financiare dhe institucionale për artin dhe kulturën.
“I uroj gjithë të mirat jetës kinematografike”, tha regjisori Pëllumb Kulla.
Top Channel