Greqia armatoset me dronë/ Athina trefishon prodhimin e dronëve, Dendias paralajmëron për kërcënime

04/09/2026 20:57

Në një vizitë në Ksanthi në krahinën e Trakës pranë kufirt me Turqinë, ministri grek I Mbrojtjes Nikos Dhendias ka deklaruar se Greqia synon të prodhojë deri në 15 mijë dronë në vit, në kuadër të modernizimit të Forcave të Armatosura dhe përshtatjes së tyre me mënyrën e re të zhvillimit të luftërave.

Dhendias ka inspektuar njësinë ushtarake që prodhon mjetet ajrore pa pilot dhe ka theksuar se ushtria greke ka sot kapacitet për të prodhuar rreth 5 mijë dronë në vit. Por sipas tij me përfundimin e fabrikës së re 309, që pritet të përurohet në dhjetor, kapaciteti do të trefishohet, duke arritur në 15 mijë dronë në vit. Këtu nuk përfshihet prodhimi i kompanive private të industrisë greke të mbrojtjes.

Athina e paraqet këtë si një ndryshim të madh krahasuar me fundin e vitit 2023, kur Forcat e Armatosura dispononin vetëm dy dronë të kategorisë HERON dhe 252 mjete fluturuese të prodhimit industrial që nuk ishin fort konkurruese. Tashmë dronët nuk përdoren më vetëm për vëzhgim dhe zbulim, por mund të kenë edhe rol sulmues, ndërsa paralelisht duhet të zhvillohet mbrojtja kundër dronëve të një vendi që mund të kërcënojë Greqinë ka thënë ai, pa përmendur emrin e ndonjë shteti. Në të njëjtën kohë, ushtria greke po ndërton 522 fortifikime të reja, të cilat parashikohet të përfundojnë deri në vitin 2030.

Top Channel