Sfida e parë e Baccin si drejtor sportiv i Interit, 6 rinovime deri në 2028 për të ruajtur boshtin e skuadrës

03/09/2026 19:48

Dimarco, Bastoni, Carlos Augusto, Calhanoglu, Zielinski e Thuram; 6 futbollistë, 6 shtylla që janë drejt skadencës në dy vitet e ardhshme. Përpara se të lërë një gjurmë të rëndësishme në merkaton e blerjeve, drejtori i ri sportiv i Interit, Dario Baccin ka detyrën për të tentuar të konfirmojë boshtin aktual të kampionëve të Italisë.

Një detyrë kjo që nuk është aspak e lehtë, sepse nëse nga njëra anë ekziston vullneti për për të vazhduar me disa prej këtyre lojtarëve që kanë kontribuuar në krijimin e ciklit fitues të nisur me Antonio Conten dhe Simone Inzaghi, drejtuesit zikaltër duhet të bëjnë llogaritë dhe me direktivat e pronarëve për vitet e ardhshme.

Kështu që Baccin nuk ka kohë për të humbur dhe në tryezën e tij kanë përfunduar menjëherë dosjet që kanë të bëjnë me kontratat e këtyre futbollistëve. Është e lehtë të kuptohet se çështja e parë lidhet me atë që u shpall Lojtari më i mirë i Serie A, Federico Dimarco. Kontrata e tij skadon në 2027, por klubi ka një opsion për rinovimin e njëanshëm të saj edhe për një sezon tjetër. Po më pas? Përpara se të aktivizohet kjo klauzolë, Baccin dhe pjesa tjetër e drejtuesve të klubit do të kërkojnë një marrëveshje me një përmirësim të pagës dhe zgjatjen e kontratës përtej 2028.

Dhe 2028 është viti kur është parashikuar skadenca e kontratës e futbollistëve të tjerë të rëndësishëm; nga Bastoni te Zielinski, nga Carlos Augusto te Thuram. Të gjithë emra të rëndësishëm në mendjen e Cristian Chivu, që padyshim do t’iu kërkojë drejtuesve të Interit t’i japë vazhdimësi projektit sportiv që solli edhe titullin e fundit kampion. Drejtori i ri sportiv do te tentojë të vihet në lëvizje në përpjekje për të gjetur një marrëveshje brenda sezonit sportiv që sapo ka nisur për të mos shkuar në verën e vitit të ardhshëm me futbollistë që hyjnë në vitin e fundit të kontratës dhe si pasojë edhe më tërheqës për klubet e tjerë.

Dhe në fund, pikërisht në verën e 2027 mbyllet edhe kontrata me Hakan Calhanoglu, mes futbollistëve më të mirë të Interit në këtë fillim kampionati. Një vit pas përplasjes me Lautaro Martinez dhe tratativave të përfolura për një transferim në Turqi, mesfushori 32 vjeçar e ka rigjetur veten në qendër të projektit të Interit. Mjaftueshëm për të merituar rinovimin e kontratës? Nuk mund të përjashtohet, edhe pse vlerësimet e para të klubit, përtej çështjes së moshës e rendimentit, do të jenë për gjendjen e tij fizike pas dëmtimeve të sezonit të kaluar.

Top Channel