Droni me eksplozivë në aeroportin e Leipzigut, Britania thërret diplomatin rus dhe akuzon Moskën për kërcënim ndaj sigurisë
Më shumë se 2 mijë vullnetarë dhe studentë po marrin pjesë në Finlandë në stërvitjen më të madhe të mbrojtjes civile të zhvilluar në vend që nga Lufta e Dytë Botërore. Ushtrimi po zhvillohet në Kuopio dhe synon të testojë mënyrën se si autoritetet dhe qytetarët do të reagonin ndaj një situate të rëndë krize.
Skenari përfshin sulme kibernetike ndaj infrastrukturës kritike, ndërprerje të energjisë dhe ujit, si dhe kërcënim për sulme me raketa nga Rusia.
Pjesëmarrësit po trajnohen edhe për përdorimin e strehimoreve nëntokësore. Një prej strehimoreve në Kuopio, e cila mund të strehojë deri në 7 mijë persona, është përshtatur për të pritur qytetarët gjatë ushtrimit.
Një nga objektivat kryesore është që qytetarët të jenë në gjendje të përballojnë vetë situata të jashtëzakonshme për të paktën 72 orë, në rast të ndërprerjes së energjisë, ujit apo shërbimeve të tjera.
Finlanda, e cila ka një kufi prej më shumë se 1,300 kilometrash me Rusinë, është anëtare e NATO-s që prej vitit 2024. Përvoja e luftës në Ukrainë ka shtyrë autoritetet finlandeze të rrisin më tej përgatitjet civile dhe ushtarake.
Stërvitja përfshin edhe fëmijë dhe nxënës, të cilët mësojnë se si të veprojnë në rast emergjence. Autoritetet finlandeze theksojnë se mbrojtja e vendit nuk mbështetet vetëm te ushtria, por edhe te gatishmëria e qytetarëve për të reaguar në situata krize.
Ndërkohë, autoritetet kanë raportuar rritje të incidenteve kibernetike dhe rasteve të dyshimta pranë infrastrukturës energjetike që prej nisjes së luftës në Ukrainë, megjithëse jo të gjitha këto raste janë lidhur me Rusinë.
Top Channel