Dita e 96-të e protestës/ Tubuesit grumbullohen para Kryeministrisë, paralajmërimi: Rrethojmë Kryeministrinë dhe Kuvendin në seancat plenare

03/09/2026 21:17

Vijon në Tiranë protesta e qytetarëve, e cila këtë të enjte shënon ditën e 96-të të rezistencës.

Si çdo mbrëmje, protestuesit janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin në drejtim të Kryeministrisë. Pas mbërritjes, ata kanë nisur fjalimet e përnatshme, ndërsa kërkesat e tyre mbeten të njëjta: dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike.

Gjatë protestës së mbrëmshme, tubuesit paralajmëruan se më 7 shtator, kur protesta do të shënojë ditën e 100-të, do të rrethojnë godinën e Kryeministrisë.

Protestuesit kanë paralajmëruar gjithashtu se do të vijojnë aksionin e tyre edhe përtej 7 shtatorit, duke e zhvendosur protestën pranë Kuvendit në rast se konfirmohet 10 shtatori si data e seancës së parë parlamentare.

“Pas 7 shtatorit, vjen 10 shtatori që supozohet të jetë seanca e parë e Kuvendit. Kur të konfirmohet kjo datë, jemi para Kuvendit për t’u thënë këtyre deputetëve që nuk na përfaqësojnë. Kështu do të jemi, sa herë të ketë Kuvend dhe derisa Edi Rama dhe qeveria e tij të jenë akoma pa dhënë dorëheqjen”, u shpreh një prej protestuesve mbrëmjen e djeshme.

Protesta vijon në kryeqytet, ndërsa pritet që tubuesit të japin më shumë detaje mbi aksionet e paralajmëruara për ditët në vijim.

 

 

 

 

Top Channel