Një nga telenovelat e merkatos së transferimeve të kësaj vere u mbyll në orët e fundit të merkatos. Enzo Fernandez është zyrtarisht futbollist i Manchester City. Mesfushori argjentinas u transferua nga Chelsea në Etihad Stadium për vlerën e 145 milionë eurove duke u bërë edhe blerja më e shtrenjtë në merkato në historinë e Premier League angleze.

Manchester City zyrtarizoi gjithçka përmes një videoje prezantuese për mesfushorin të postuar në rrjetet sociale duke i uruar mirëseardhjen.

Në këtë mënyrë, Manchester City e ka më në fundpasuesin e Rodrit të larguar në drejtim të Barcelonës. Enzo Fernandez, i cili e konsideroi të mbyllur etapën e tij me Blutë e Londrës kishte arritur marrëveshjen personale me Citizens për një kontratë deri në 2031 dhe pritej vetëm ajo mes dy klubeve që në fakt u arrit në orët e fundit të merkatos kështu që tani argjentinasi do të nisë të punojë sërish me trajnerin Enzo Maresca.

Enzo Fernandez e mbylli aventurën e tij me Chelsea pas 170 ndeshjeve të zhvilluara gjatë të cilave ka shënuar 31 gola dhe ka dhënë 29 asiste. Mesfushori 25 vjeçar menjëherë pas mbylljes së këtij operacioni iu drejtua rrjeteve sociale për të përshëndetur klubin e  Chelsea dhe tifozët e saj përmes një mesazhi të gjatë dhe emocionues.

‘I dashur Chelsea! Dua që të dini se këto ditë nuk kanë qenë të lehta për mua. Edhe të shkruaj këtë mesazh nuk është e lehtë. Përpara 3 vitesh, Cobham dhe Stamford Bridge u bënë shtëpia ime dhe e familjes sime. U rrita i lidhur me njerëzit, me këtë fanelë, me stemën e këtij klubi të jashtëzakonshëm-thekson ndër të tjerat në mesazhin e tij të gjatë Enzo Fernandez-më besoni kur them se që nga momenti kur erdha, u fiksova me dëshirën për të fituar dhe për t’i sjellë këtij klubi çdo trofe që meriton historia e tij. Vuajtëm, qamë, u zemëruam shumë herë, por edhe kemi festuar tituj dhe fitore të paharrueshme. Ishim bashkë në kohë të mira dhe të vështira. E jetoj futbollin në të njëjtën mënyrë si jetoj jetën time; me pasion dhe me gjithë zemër. Për këtë arsye unë dua që ju të dini se ju kuptoj. Ju kuptoj me të vërtetë, nga thellësia e zemrës. Por në jetë duhen marrë vendime dhe në këtë moment unë po e gjej veten teksa po marr një prej këtyre vendimeve të vështirë. E kam thënë më parë dhe dua ta them përsëri; Ma ka hyrë thellësisht në zemër ky klub. Chelsea do të ketë gjithnjë një vend në mendimet e mia e mbi të gjitha në zemrën time’..

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Enzo Fernández (@enzojfernandez)

Top Channel