Situata me zjarret në Mat ende problematike/ Evakuohet një familje, flakët përfshijnë edhe tre shtëpi të pabanuara
Telashet jashtë fushës vazhdojnë për Raúl Asencion.
Mbrojtësi i Real Madridit është dënuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur, ndërsa emri i tij vijon të jetë i përfshirë edhe në një çështje gjyqësore shumë më të rëndë që lidhet me shpërndarjen e videove intime ku shfaqet edhe një e mitur.
Sipas raportimeve nga mediat spanjolle, Asencio u ndalua më 16 gusht të vitit të kaluar në jug të Gran Canarias, teksa drejtonte një automjet Porsche.
Testi i alkoolit rezultoi 0.90 mg/l, shumë mbi kufirin ligjor prej 0.25 mg/l. Për këtë shkelje, futbollisti është dënuar me një gjobë prej 14,400 eurosh, ndërsa patentës së tij i është pezulluar vlefshmëria për tetë muaj.
Por kjo nuk është e vetmja çështje që ka vendosur Asencion në qendër të vëmendjes.
Mbrojtësi i Real Madridit do të përballet gjithashtu me një proces gjyqësor që lidhet me ngjarje të vitit 2023, kur ai ishte pjesë e ekipit të të rinjve të klubit madrilen.
Çështja lidhet me shpërndarjen dhe shfaqjen pa pëlqim të videove me përmbajtje intime, ku shfaqen dy vajza, njëra prej të cilave ishte e mitur në kohën e ngjarjes.
Asencio dhe tre persona të tjerë janë proceduar në këtë çështje. Megjithatë, gjykata ka sqaruar se ndaj futbollistit nuk rëndon akuza se ka marrë pjesë në regjistrimin e videove. Për të, hetimi lidhet me veprime të tjera të pretenduara rreth materialeve.
Asencio i mohon akuzat dhe nuk është shpallur fajtor nga gjykata.
Prokuroria ka kërkuar dënim me dy vite e gjysmë burgim për futbollistin, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë gjykata pas zhvillimit të procesit.
Ndërkohë, problemet e Asencios nuk janë vetëm jashtë fushe. Futbollisti po përballet edhe me shqetësime fizike dhe mund t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për problemet në pjesën e poshtme të këmbës.
Situata sportive gjithashtu nuk është ideale, pasi mbrojtësi nuk duket se bën pjesë në planet kryesore të trajnerit të ri të Real Madridit, José Mourinho.
Top Channel