Sekuestrohen 463 kg metamfetaminë në Sri Lanka, droga me vlerë 21 milionë dollarë

02/09/2026 19:32

Rreth 463 kilogramë metamfetaminë kristalore janë sekuestruar në portin e Kolombos në Sri Lanka, gjatë një operacioni të përbashkët të autoriteteve amerikane dhe atyre vendase kundër një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Sipas policisë së Sri Lankës, droga u gjet në një kontejner që kishte mbërritur nga Pakistani. Trafikantët e kishin fshehur metamfetaminën brenda peshqirëve të banjës, në përpjekje për t’i shpëtuar kontrolleve.

Vlera e drogës së sekuestruar llogaritet në rreth 21 milionë dollarë, ose afërsisht 18 milionë euro, sipas ambasadës amerikane në Kolombo.

Në lidhje me operacionin janë arrestuar dy shtetas pakistanezë dhe një shtetas i Sri Lankës. Aksioni u zhvillua nga Administrata Amerikane Kundër Drogës (DEA) në bashkëpunim me Byronë e Narkotikëve të Policisë së Sri Lankës.

Autoritetet kishin monitoruar kontejnerët me origjinë nga Pakistani nga 14 deri më 29 gusht, përpara se të ndërhynin. Sipas ambasadës amerikane, droga ishte destinuar të kalonte përmes Sri Lankës dhe të shpërndahej më pas në tregjet ndërkombëtare.

Autoritetet amerikane e cilësuan operacionin si një shembull të bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër organizatave kriminale transnacionale, të cilat merren me trafikimin e drogës dhe, sipas ambasadës, kanë lidhje edhe me financimin e aktiviteteve terroriste.

Zëvendësinspektori i Përgjithshëm i Policisë së Sri Lankës, Ashoka Dharmasena, tha se operacioni u zhvillua pas marrjes së informacionit për ngarkesën e dyshimtë.

Sekuestrimi i fundit është pjesë e një fushate më të gjerë të autoriteteve të Sri Lankës kundër trafikut të drogës. Sipas Dharmasenës, që nga tetori i vitit të kaluar janë sekuestruar pothuajse 14 tonë lëndë narkotike, përfshirë metamfetaminë, heroinë dhe kokainë.

Ministri i Sigurisë Publike, Ananda Wijepala, ka deklaruar në parlament se një pjesë e konsiderueshme e drogës që mbërrin në Sri Lanka vjen nga Afganistani dhe Pakistani, duke u transportuar në ishull përmes rrugëve detare.

Autoritetet vlerësojnë se rreth 400 mijë persona përdorin drogë në Sri Lanka, një vend me rreth 22 milionë banorë.

Top Channel