“Nuk e kuptoj”/ Olmo “godet” Atletico Madridin për Julian Alvarez: Të gjithë kemi ëndrrat tona, ai luftoi për të tijën

02/09/2026 19:14

Dani Olmo përjetoi këtë të mërkurë një ditë të veçantë në Terrassa, qytetin e tij të lindjes. Mesfushori ofensiv i Barcelonës u prit me nderime në vendlindje për të festuar suksesin e tij me kombëtaren spanjolle në Botëror, një vlerësim që lojtari e priti me krenari.

Olmo pati gjithashtu mundësinë t’u përgjigjej disa pyetjeve dhe foli edhe për Julian Alvarez dhe transferimin e tij të dështuar te Barcelona.

“Julian është një lojtar i madh, një ‘9’ i shkëlqyer, pa dyshim një nga më të mirët në botë, por ky është futbolli”, u shpreh Olmo.

I pyetur nëse e kuptonte qëndrimin e fortë të Atlético Madridit, që ka refuzuar të negociojë me Barcelonën për argjentinasin, Olmo ishte i drejtpërdrejtë:

“Ta kuptoj, nuk e kuptoj. Në fund të fundit, të gjithë kemi ëndrrat tona. Mendoj se edhe Julian ishte shumë i qartë në këtë aspekt. Ai luftoi për ëndrrat e tij, por në fund ka edhe situata të tjera, të jashtme, që nuk mund t’i kontrollosh. Në këtë rast, kjo ishte një prej tyre, nuk ka nevojë as ta themi. Por jeta vazhdon. Asgjë nuk ndalet.”

Olmo u shpreh optimist për sezonin e ri të Barcelonës, duke theksuar se skuadra do të përballet me një konkurrencë të fortë, pasi edhe klubet e tjera janë përforcuar ndjeshëm.

“Na pret një vit shumë i mirë, me shumë konkurrencë, sepse edhe klubet e tjera janë përforcuar shumë mirë. Por mendoj se ne kemi një skuadër mëse të mjaftueshme për të konkurruar”, tha ai.

Sa i përket objektivave, Olmo theksoi se Barcelona synon të mbrojë titujt e fituar në La Liga, Kupën e Mbretit dhe Superkupën, ndërsa objektivi madhor mbetet Champions League.

“Ka objektiva të rinj: të vazhdojmë të fitojmë dhe të mbrojmë titujt e La Ligës, Kupës dhe Superkupës. Por mbi të gjitha duam të luftojmë për Champions League, sepse kemi një skuadër mëse të aftë për ta bërë këtë”, deklaroi futbollisti.

Olmo për mungesën e ceremonisë në Camp Nou

Dani Olmo foli gjithashtu për mungesën e një ceremonie nderimi në Spotify Camp Nou për futbollistët që fituan Botërorin me Spanjën. Barcelona vendosi ta anulonte aktivitetin pas një incidenti të dhunshëm në Elche, ku u përfshi një prej anëtarëve të klubit. Olmo u shpreh mirëkuptues ndaj vendimit të drejtuesve.

“Klubi vendosi se nuk ishte momenti më i mirë për ta bërë. Ne, si lojtarë, e respektojmë këtë vendim. E dimë që klubi e vlerëson 100% Botërorin që kemi fituar. U mendua se nuk ishte skena perfekte pas gjithçkaje që kishte ndodhur. Është një vendim që duhet respektuar dhe nuk ka asnjë problem”, tha ai.

Në fund, Olmo foli edhe për rivalitetin me Real Madridin, që pritet të jetë sërish një nga betejat kryesore të sezonit.

“Gjithmonë ka qenë kështu. Reali është një ekip që është përforcuar shumë mirë, me lojtarë të mëdhenj. Edhe ne jemi përforcuar. Në fund, objektivi i të dyja skuadrave është të fitojnë gjithçka. Ne do të luftojmë për atë që duam, siç kemi bërë gjithmonë”, u shpreh Olmo.

Barcelona ka kaluar dy vite shumë të suksesshme në arenën vendase, por tani synimi është të rikthehet në majën e Evropës.

“Kanë kaluar dy vite me shumë sukses në nivel kombëtar dhe tani duam të kemi sukses edhe në Evropë. Ky është objektivi ynë. Më e vështira nuk është gjithmonë ta bësh, por të qëndrosh në majë dhe ta përsërisësh suksesin. Pikërisht për këtë do të luftojmë”, përfundoi Dani Olmo.

Top Channel