Vetëm 14 vjeç, Ejsi Ahmeti është sportistja më e re pjesëmarrëse në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026.

Shqiptarja garon në qitje, në disiplinën e pushkës me ajër për juniore, përballë sportisteve me shumë më tepër eksperiencë. Ajo e nisi qitjen vetëm dy vite më parë, pasi mësoi se edhe babai i saj kishte praktikuar këtë sport. Pas stërvitjeve të para në Tirana Club, Ejsi nisi të merrte pjesë në garat kombëtare dhe më pas fitoi eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare, në Maqedoninë e Veriut dhe në Kampionatin Botëror për Juniore në Gjermani.

Trajnerja Shpresa Kotrri ka qenë një prej figurave kryesore në zhvillimin e saj, veçanërisht në menaxhimin e emocioneve gjatë garave. Ndërkohë, Ejsi vlerëson edhe mbështetjen e federatës për pajisjet dhe kushtet e stërvitjes.

 

Për 14-vjeçaren, sporti nuk është vetëm rezultat. Ajo dëshiron që vajzat të besojnë te vetja dhe të mos kenë frikë të provojnë çdo disiplinë sportive. Taranto është vetëm një hap i parë. Ejsi shpreson të rikthehet në Lojërat Mesdhetare pas katër vitesh, por ëndrra e saj më e madhe është Olimpiada. “Dua të shkoj në Lojërat Olimpike dhe një ditë të bëhem kampione olimpike”, thotë 14-vjeçarja shqiptare.

Top Channel