Një grusht ndaj një zyrtari të ndeshjes, një karton i kuq dhe një tjetër episod polemik në fushë.

Përballja mes AF Elbasanit dhe Vllaznisë, e mbyllur në barazim 1–1, mund të ketë pasoja të forta disiplinore për presidentin e klubit shkodran Alban Xhaferi dhe trajnerin Edi Martini. Në qendër të vëmendjes është episodi i ndodhur pas përfundimit të ndeshjes, kur Xhaferi goditi me grusht asistentin e dytë të arbitrit, Ergys Spahiu, teksa ky i fundit po drejtohej drejt tunelit të dhomave të zhveshjes. Pamjet filmike të episodit kanë qarkulluar gjerësisht, ndërsa ndërhyrja e personave të sigurisë shmangu përshkallëzimin e situatës.

Xhaferi kërkoi më pas falje publike për veprimin, duke e cilësuar atë të papranueshëm, por njëkohësisht ruajti kritikat ndaj mënyrës së funksionimit të arbitrimit në futbollin shqiptar. Tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së. Dhe nëse episodi klasifikohet sipas Nenit 49 të Kodit të Disiplinës Sportive si sulm apo dhunë ndaj një zyrtari të ndeshjes, pasojat mund të jenë tepër të rënda.

Kodi i Disiplinës parashikon të paktën 18 muaj

Neni 49 bën një dallim të qartë mes lojtarëve dhe trajnerëve apo zyrtarëve të klubit. Për një trajner apo zyrtar klubi që sulmon ose ushtron dhunë ndaj një zyrtari të ndeshjes, Kodi parashikon pezullim jo më pak se 18 muaj, ndërsa mund të vendoset edhe gjobë

Në këtë kategori përfshihet edhe presidenti i një klubi. Për këtë arsye, nëse Komisioni e klasifikon episodin e Xhaferit siç përcaktohet në këtë dispozitë, minimumi i parashikuar nga Kodi është 18 muaj pezullim. Masa mund të shoqërohet edhe me

Pra, bëhet fjalë potencialisht për një periudhë shumë më të gjatë se një pezullim i zakonshëm prej disa ndeshjesh.

Po Martini?

Në të njëjtën ndeshje, trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u ndëshkua me karton të kuq pas protestave ndaj vendimeve të arbitrave. Në sfond ishin edhe dy golat e anuluar të Vllaznisë për pozicion jashtë loje.

Martini u vu gjithashtu në qendër të vëmendjes për një gjest me duar që simbolizon VAR-in, drejtuar në drejtim të bankinës së arbitrave. Nëse bëhet fjalë vetëm për protestë apo sjellje ofenduese ndaj zyrtarëve, rasti mund të trajtohet sipas dispozitave për sjelljen ofenduese dhe fair-play, ku precedentët e fundit kanë sjellë pezullime prej disa ndeshjesh dhe gjoba.

Ndërkohë, nëse raportet zyrtare të arbitrit apo delegatit do të përmbajnë edhe një episod të dokumentuar kërcënimi ndaj një zyrtari, situata bëhet dukshëm më serioze dhe mund të aktivizohen dispozitat për kërcënimin apo shtrëngimin e zyrtarëve të ndeshjes. Për momentin, megjithatë, episodi verbal duhet të konsiderohet i pakonfirmuar deri në publikimin e raporteve zyrtare.

Precedentët tregojnë dallimin

Praktika e fundit e Komisionit të Disiplinës tregon se sanksionet ndryshojnë ndjeshëm në varësi të natyrës së shkeljes. Për sjellje josportive ndaj zyrtarëve janë dhënë pezullime prej disa ndeshjesh, ndërsa për kërcënime apo kombinim dhune dhe kërcënimi janë dhënë masa më të rënda. Por episodi i Xhaferit është i një tjetër niveli, pasi bëhet fjalë për një akt fizik ndaj një zyrtari të ndeshjes dhe personi i përfshirë është president klubi.

Prandaj, nëse Komisioni e klasifikon veprimin në bazë të Nenit 49, rasti mund të sjellë një nga dënimet më të rënda të mundshme për një drejtues klubi në futbollin shqiptar. Tashmë topi është në fushën e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF-së. Vendimi përfundimtar do të përcaktojë nëse pamjet e incidentit do të përkthehen në dënimin minimal të parashikuar nga Kodi apo në një masë edhe më të rëndë.

SHËNIM: Kjo është një analizë paraprake dhe jo një parashikim i vendimit disiplinor. Klasifikimi përfundimtar i episodeve do të bëhet nga organet kompetente të FSHF-së mbi bazën e raporteve të arbitrit, delegatit dhe provave të tjera të administruara.

Top Channel