Bilanci tragjik në Nepal/ 1,225 të vdekur dhe 4,757 të zhdukur, shpresë për 46 punëtorë të bllokuar

02/09/2026 17:28

Përmbytjet shkatërruese që goditën Nepalin, pranë kufirit me Kinën, kanë shkaktuar një katastrofë të përmasave të mëdha.

Sipas bilancit të ri të përkohshëm të Autoritetit të Menaxhimit të Emergjencave, të paktën 1,204 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa 4,216 rezultojnë të zhdukur.

Mediat shtetërore kineze raportuan gjithashtu 21 viktima dhe 541 persona të zhdukur në Tibet, duke e çuar bilancin e përkohshëm në të dyja anët e kufirit në 1,225 të vdekur dhe 4,757 të zhdukur.

Ndërkohë, shpresa është rikthyer për dhjetëra punëtorë që mund të kenë mbijetuar, pasi besohet se janë bllokuar prej një jave në një hapësirë nëntokësore të hidrocentralit Rasuvagadi.

Një zyrtar i Autoritetit të Energjisë Elektrike të Nepalit, Amsu Kiran Shahi, tha se 46 persona besohet se janë bllokuar në një hapësirë që ngjan me një dhomë brenda tunelit.

“Jemi optimistë se ata duhet të jenë gjallë pas një jave, sepse kanë ushqim dhe ujë brenda ndërtesës”, deklaroi Shahi.

Deri tani, autoritetet nepaleze kanë arritur të shpëtojnë 279 persona nga projektet hidroelektrike të goditura nga masa të mëdha akulli, shkëmbinjsh, balte dhe mbeturinash, të shkaktuara nga shembja e një akullnaje pranë kufirit me Kinën.

Megjithatë, të paktën 639 persona vijojnë të jenë të zhdukur, ndërsa disa prej tyre dyshohet se janë bllokuar në tunelet e lidhura me projektet hidroelektrike.

Ekipet nepaleze, indiane dhe kineze të shpëtimit po punojnë mes rrënojave, duke përdorur pajisje dhe teknologji të ndryshme në përpjekje për të gjetur të mbijetuar.

Hidrocentrali Rasuvagadi, me kapacitet prej 111 megavatësh, ndodhet në distriktin Rasuva, një nga zonat më të goditura, në një luginë malore rreth pesë kilometra larg kufirit të Nepalit me Kinën.

Shahi tha se ekipet do të tentojnë sërish të hyjnë në tunel, pasi një përpjekje e ushtrisë disa ditë më parë nuk arriti të gjente një hapësirë të kalueshme.

Kërkimet vijojnë edhe në objekte të tjera hidroelektrike. Në projektin Upper Trishuli 3A, ekipet e shpëtimit u përballën me sasi të mëdha balte dhe u deshën pothuajse gjashtë ditë për të lokalizuar tunelet.

Autoritetet shpresojnë se edhe atje mund të ketë të mbijetuar, pasi raportohet se brenda tunelit ndodhet një hapësirë e thatë.

Për operacionet e kërkim-shpëtimit po përdoret e gjithë teknologjia e disponueshme në Nepal, ndërsa vendi po merr ndihmë edhe nga India, Kina, Koreja e Jugut dhe Australia.

Përmasat e katastrofës janë edhe më të qarta nga vlerësimet paraprake të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), sipas të cilit përmbytjet kanë krijuar të paktën 2.2 milionë ton mbeturina.

Mbetjet përfshijnë fragmente ndërtesash, shkëmbinj dhe sedimente, ndërsa kjo sasi është krahasuar me rreth gjashtë ndërtesa me madhësinë e Empire State Building.

Ndërsa operacionet e shpëtimit vazhdojnë, autoritetet po përpiqen të depërtojnë në tunelet e bllokuara dhe të përcaktojnë fatin e qindra personave që vijojnë të rezultojnë të zhdukur.

Top Channel