Pas më shumë se 12 vitesh me Gjermaninë, ylli i mbrojtjes tërhiqet nga kombëtarja: Ka ardhur koha t’i hap rrugë brezit të ri

01/09/2026 18:14

Antonio Rüdiger ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me kombëtaren gjermane. Mbrojtësi i Real Madridit ka marrë vendimin pas eliminimit të Gjermanisë nga Botërori, ndërsa ka përdorur rreth dy muaj për të reflektuar mbi të ardhmen e tij ndërkombëtare.

33-vjeçari e bëri zyrtare vendimin këtë të martë përmes një deklarate në rrjetet sociale, vetëm 16 ditë para grumbullimit të radhës së Gjermanisë, i parashikuar për 17 shtator dhe që do të jetë nën drejtimin e trajnerit të ri, Jürgen Klopp.

Rüdiger mbyll kështu një kapitull prej më shumë se 12 vitesh me fanellën e Gjermanisë. Ai debutoi më 13 maj 2014 në ndeshjen ndaj Polonisë dhe gjatë kësaj periudhe regjistroi 86 paraqitje me katër herë kampionët e botës.

Edhe pse nuk arriti të fitojë një Europian apo Kupë Bote me kombëtaren, Rüdiger e konsideron këtë periudhë si një nga kapitujt më të rëndësishëm të karrierës së tij. Në këtë fazë të karrierës, mbrojtësi ka zgjedhur të fokusohet tërësisht te angazhimet e tij me Real Madridin.

Në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale, Rüdiger falënderoi shokët e skuadrës, stafin teknik, trajnerët që e kanë drejtuar dhe tifozët gjermanë për mbështetjen ndër vite.

“Pas një periudhe reflektimi, për mua ka ardhur momenti t’i jap fund karrierës me kombëtaren dhe t’i hap rrugë brezit të ri. Kur vesha për herë të parë fanellën e kombëtares gjermane në vitin 2014, nuk do ta kisha imagjinuar kurrë, as në ëndrrat e mia, se në fund do të arrija në 86 ndeshje ndërkombëtare”, shkroi Rüdiger.

Mbrojtësi pranoi se mungesa e një trofeu madhor në turnetë e fundit dhe disa eliminime të dhimbshme mbeten pjesë e rrugëtimit të tij, por theksoi se kjo periudhë do të mbetet e veçantë për të.

Rüdiger shprehu mirënjohje të veçantë për ish-trajnerët Joachim Löw, Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann, të cilët, sipas tij, kanë pasur ndikim të rëndësishëm në karrierën e tij me kombëtaren. Ai falënderoi gjithashtu trajnerin e tij në ekipet e moshave, Horst Hrubesch, si dhe tifozët gjermanë, veçanërisht për atmosferën gjatë Europianit 2024, të zhvilluar në Gjermani.

“Për mua tani fillon një kapitull i ri, në të cilin do të përqendrohem plotësisht te klubi im. Faleminderit për këtë udhëtim që ndamë së bashku”, përfundoi Rüdiger.

Me 86 ndeshje ndërkombëtare, Rüdiger largohet nga kombëtarja gjermane pas më shumë se një dekade, duke e mbyllur një nga etapat më të rëndësishme të karrierës së tij.

Top Channel