Orë vendimtare për Enzo Fernandez, City hap “kasafortën”, mesfushori argjentinas gati të bëhet lojtari më i shtrenjtë në Premier League

01/09/2026 11:29

Enzo Fernandez është pranë një transferimi të bujshëm te Manchester City, pasi klubi anglez ka arritur një marrëveshje paraprake me Chelsean për mesfushorin argjentinas.

Sipas raportimeve nga mediat britanike, negociatat mes dy klubeve të Premier League janë zhvilluar me shpejtësi në ditët e fundit, ndërsa City ka marrë miratimin për të avancuar me operacionin për transferimin e 25-vjeçarit.

Fernandez pritet të ribashkohet me ish-trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca, i cili këtë verë mori drejtimin e Manchester Cityt pas largimit të Pep Guardiolës.

Vlera e marrëveshjes mund të arrijë deri në rreth 140 milionë euro, shifër që do ta kthente transferimin e argjentinasit në një nga lëvizjet më të mëdha të merkatos.

Mesfushori është në pritje të autorizimit për t’iu nënshtruar testeve mjekësore, ndërsa klubet po punojnë për përfundimin e procedurave para mbylljes së afatit kalimtar.

Fernandez nuk ishte pjesë e skuadrës së Chelseat në ndeshjen ndaj Brightonit, ndërsa trajneri Xabi Alonso nuk dha një përgjigje përfundimtare rreth të ardhmes së tij.

“Do të shohim. Ne duam më të mirën për ekipin dhe duhet të jemi të përgatitur për të gjitha skenarët deri në mbylljen e merkatos”, deklaroi Alonso.

Enzo Fernandez u transferua te Chelsea në janar të vitit 2023 nga Benfica për rreth 121 milionë euro, një nga shifrat më të larta të paguara ndonjëherë për një futbollist në Premier League.

Në rast të finalizimit të marrëveshjes, argjentinasi do të bëhej transferimi më i kushtueshëm në historinë e Premier League dhe i katërti në historinë e futbollit.

Top Channel