Pas stuhisë së ngritur nga hetimet për sistemin arbitrar dhe që e vuri atë në qendër, Gianluca Rocchi thyen heshtjen. Tani që i gjithë hetimi për mashtrim sportiv u arkivua, ish shefi i arbitrave në kampionatin italian foli në një intervistë të gjatë për ‘Corriere Dello Sport’ duke komentuar të gjithë këtë ngjarje që i tronditi jetën dhe karrierën.

‘Më shpërtheu një bombë e jetës…Do ta kem përsëritur 50 herë-tregon Rocchi-pse mua? Çfarë bëra? Një çmenduri. Dhe gjëra u përkeqësuan. Kam lexuar dhe dëgjuar gjthçka. Isha  një monstër. Po monstër, pse? Çfarë nuk kam menduar. Kush dëshiron të më shohë keq? Por takova edhe shumë njerëz miqësorë, kishte nga ata që tentuan të më sigurojnë; ndonjëherë janë shenja, më thanë, shenja të një ndryshimi dhe që duhen kapur’.

Rocchi i vijon më tej rrëfimin e tij.

‘E gjeta veten me një jete të kthyer përmbys, me shpjegime që duhej t’u jepja fëmijëve të mi, babai dhe nëna ime patën vetëm fjalë inkurajimi-vijon Rocchi-një flluskë, herë pas here e vëzhgoj veten nga jashtë dhe uroj që të zgjohem nga nga një makth. Në makth ndjen se ke humbur kodin e jetës, që ke shkatërruar bërthamën e sigurisë, që po bie poshtë…Zgjodha një jetë dhe një rol që janë bazuar te vlera si ndershmëria dhe korrektësia dhe papritur më transformuar në një gjysmëkrimineli. Pastaj është ky boshllëku i madh për t’u mbushur…Kur kalon nga impenjime 24 orëshe, sepse shefi i arbitrave nuk shkëputet kurrë, te hiçi kozmik. Ajo që kam kërkuar prej kohësh, pak kohë të lire për të qëndruar me fëmijët e mi dhe të merrem me veten time, papritur bëhet në diçka jokomode, një ferr dhe në mëngjes do të doje të mos zgjoheshe vetëm që të mos kërkoje diçka për të bërë. Kështu është çdo ditë, për muaj të tërë’.

Një boshllëk që erdhi nga vetëpezullimi i Rocchit.

‘Nuk mund të bëja ndryshe, duke respektuar principet e mia-tha Rocchi-kisha përgjegjësi për djemtë(arbitrat). Doja që të mbyllnin sezonin ne kushte të pranueshme pa presione shtesë’.

Në qendër të hetimeve ishin lidhjet e dyshuara mes Rocchit dhe disa prej drejtuesve të Interit, diçka që ai e përgënjeshtron në mënyrë kategorike.

‘Marotta? Nuk jemi dëgjuar kurrë, ashtu sikurse nuk kam pasur e as nuk kam kërkuar raporte me drejtues të tjerë-vijon Rocchi-Për këtë arsye përfshiva figurën referee manager, një profesionist në klub. Mendoj se po e mbajnë edhe këtë vit’.

Më pas foli edhe për ankesat e klubeve

‘Gjithmonë klubet, edhe pse në kohë të ndryshme, kanë diçka për t’u thënë arbitrave apo për arbitrar dhe kur them gjithnjë, nuk i referohem vetëm periudhës sime-tha Rocchi-mund t’ju garantoj se nuk kam favorizuar apo keqtrajtuar skuadra duke marrë vendime në autonomi totale’.

Padyshim që në intervistën e tij, Rocchi përmendi edhe trokitjen e famshme në sallën VAR e më pas edhe për sjelljen e kolegëve kundrejt tij në atë moment të vështirë për të

‘Trokitja? Po procedohet ende, kam respekt për magjistraturën që po merret me këtë çështje, ashtu sikurse edhe për ata në Milano-vijoi Rocchi-Shumë prej djemve më qëndruan pranë, Francesco Massini u soll në mënyrë shembullore, ashtu sikurse Roberto Rosetrti që më lejoi të ndihem arbitër duke më bërë vëzhgues. Nuk e mohoj se kur u thirra për herë të parë për. një ndeshje në Bratislavë të Slovan, u emocionova pikërisht si 30 vjet më parë’.

Dhe më pas Gianluca Rocchi bën edhe mea culpa.

‘Sigurisht që kam bërë gabime, kryesori në sezonin e kaluar-tha Rocchi- Me VAR-in e kam gabuar. Kam përcjellë një mesazh të gabuar: më mirë të përdoret VAR-i më shumë sesa më pak. Edhe për sa i përket komunikimit, ishte një gabim i madh’.

Por çfarë do të bëjë Rocchi në të ardhmen? Duket se dikush i ka propozuar kandidimin për presidencën e AIA(Shoqata Italiane e Arbitrave)

‘Nuk është mbyllur ende asgjë-vijoi Rocchi-e megjithatë nuk më takon mua të vendos. Unë vetëm kam nevojë që të rimarr jetën time në dorë, të rihyj në këtë botë, botën ku kam bërë pjesë që në fund të viteve ’80. Po vlerësoj ende disa situata, shpresoj që të jem në kushtet  për të bërë zgjedhje’.

Top Channel