Raphinha dhe Lamine Yamal marrin për dore Barcelonën, kampionët e Spanjës likuidojnë dhe Rayo Vallecanon e Ivan Balliut
Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka reaguar pas publikimit të videos ku shfaqet duke goditur me grusht gjyqtarin anësor Ergys Spahiu, pas përfundimit të ndeshjes Elbasani–Vllaznia.
Në një reagim të publikuar në faqen zyrtare, Xhaferi kërkon falje publike për veprimin e tij, duke pranuar se asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë atë. “Së pari, i kërkoj publikisht dhe thellësisht ndjesë arbitrit Ergys Spahiu dhe familjes së tij për veprimet e mia në atë moment tensioni dhe presioni të jashtëzakonshëm psikologjik. Ai personalisht nuk kishte asnjë faj në atë përplasje dhe reagimi im ndaj tij ishte i papranueshëm”, shprehet Xhaferi.
Sipas presidentit të Vllaznisë, çështja mes tij dhe arbitrit është tashmë e sqaruar në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok. Xhaferi kërkon gjithashtu ndjesë për publikun dhe familjet shqiptare që kanë parë pamjet e incidentit, duke theksuar se një sjellje e tillë nuk përfaqëson vlerat e tij.
Por, krahas kërkimfaljes, Xhaferi vijon të këmbëngulë se qëndrimi i tij lidhet me atë që ai e konsideron si probleme të sistemit të futbollit shqiptar.
“Beteja ime nuk është dhe nuk do të jetë kundër individëve. Qëndrimi im është kundër një sistemi që, sipas bindjes sime, po dëmton rëndë besimin te futbolli shqiptar”, deklaron ai. Në këtë kuadër, presidenti i Vllaznisë i drejtohet edhe kreut të FSHF-së, Armand Duka, duke kërkuar ndërhyrje për ndërtimin e një sistemi që, sipas tij, duhet të jetë më transparent, më i drejtë dhe më i kontrollueshëm.
Xhaferi i përgjigjet gjithashtu kritikave publike pas incidentit, duke kërkuar që të gjykohet për veprimet e tij, por pa lejuar që episodi me arbitrin të zhvendosë vëmendjen nga problematikat që ai pretendon se ekzistojnë në futbollin shqiptar. “Kam gabuar dhe do të gaboj si çdo njeri, por do të kem gjithmonë forcën të kërkoj falje kur gaboj dhe po aq forcë të ngre zërin kur besoj se po bëhet një padrejtësi”, përfundon Xhaferi.
Top Channel