Topi i Artë 2026/ Kush do të pasojë Dembele dhe Bonmati? Ja kur do të mësohen emrat e finalistëve

31/08/2026 20:59

Në 22 shtator do të mbahet ceremonia e Topit të Artë, trofeu më i lakmuar individual në futbollin e djemve dhe të vajzave. France Football dhe UEFA kanë bërë të ditur të rejat e fundit që lidhen me këtë eveniment të rëndësishëm. Të martën e 8 shtatorit, në fakt do të mësohen emrat e 30 finalistëve dhe finalisteve për Topin e Artë për djem dhe vajza.

Të gjithë mezi presin të mësojnë emrat e finalistëve për këtë trofe, ceremonia e të cilit për herë të parë do të mbahet në Londër dhe që do të jetë një homazh për fituesin e parë të Topit të Artë, Stanley Mattheës në 1956.

Po kështu të martën e 8 shtatorit do të bëhen të ditur emrat e finalistëve edhe për kategoritë e tjera; 10 futbollistët e rinj më premtues, 5 futbollistet e reja më të talentuara, 10 portierët dhe 5 portieret më të mira të vitit, 5 trajnerët më të mirë në futbollin e djemve dhe vajzave; 10 finalistët për çmimin talenti i vitit, 5 sulmueset më të mira dhe 5 klubet më të mirë në botë si për djem ashtu edhe për vajza

Si funksionon votimi

Në momentin që do të publikohen emrat e finalistëve, një juri ndërkombëtare e përbërë nga gazetarë të specializuar do të japë votat. Paneli përbëhet nga 1 gazetar përfaqësues të 100 vendeve të para në Renditjen e FIFA në futbollin e djemve dhe të 50 vendeve më të mira në futbollin e vajzave. Çdo votues zgjedh të preferuarit e tij duke u bazuar në 3 kategori; rendimenti individual dhe vendimtar, arritjet kolektive dhe trofetë e fituar, klasin dhe fair play brenda dhe jashtë fushës së lojës.

Duke përdorur këto kategori, çdo gazeta zgjedh dhe bën një klasifikim të 10 futbollistëve nga lista e finalistëve duke dhënë 15 pikë për vendin e parë e deri te 1 pikë për vendin e 10.

Top Channel