Rolando Maran po kërkon të zgjerojë grupin e Kombëtares shqiptare dhe paralajmëron se në të ardhmen mund të ketë edhe emra të rinj në listën e kuqezinjve.

Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, trajneri italian tregoi se po zhvillon një periudhë intensive vëzhgimi, me fokus jo vetëm te lojtarët që tashmë kanë veshur fanellën kuqezi, por edhe te alternativat e reja.

Maran zbuloi se do të udhëtojë në rreth shtatë vende të ndryshme në vetëm 14 ditë për të ndjekur nga afër futbollistët shqiptarë.

“Nesër nisem dhe do të vizitoj rreth 7 vende të ndryshme në 14 ditë. Nga Turqia në Evropën e Veriut do të kem një tur mjaft intensiv, sepse tani kanë filluar ndeshjet që kanë vërtet rëndësi”, tha ai.

Sipas trajnerit, ndeshjet e kampionateve janë testi më i besueshëm për të vlerësuar formën e një futbollisti.

“Aty mendoj se janë testet më të besueshme për të vlerësuar formën e lojtarëve”, u shpreh Maran. Por vëmendja e tij nuk është vetëm te emrat e zakonshëm.

“Sidomos tani në këto dy javë, do të jem shumë i përqendruar edhe te lojtarët që nuk i kam parë personalisht në grumbullimet e fundit”, deklaroi italiani.

Maran dëshiron të shohë nëse ekzistojnë futbollistë të tjerë që mund të jenë të dobishëm për Kombëtaren.

“Po përpiqem të kuptoj, përtej atyre të zakonshmëve, futbollistëve që keni parë dhe që kanë veshur fanellën e Kombëtares, të shoh emra të tjerë që mund të jenë të dobishëm.”

Dhe kur pyetet drejtpërdrejt nëse Shqipëria mund të ketë emra të rinj, përgjigjja e tij është:

“Unë po përqendrohem dhe pastaj do të shohim. *Shpresoj të sjell emra të rinj. Dhe kjo nuk do të jetë merita ime, por do të jetë merita e lojtarëve.*”

Maran ka edhe një kriter të qartë për përzgjedhjen: aktivizimi i rregullt.

“Sidomos për Kombëtaren, është thelbësore që një lojtar të luajë. Mesazhi që kam përcjellë është që shpresa ime mbetet që ata të mund të luajnë dhe të kenë vazhdimësi.”

Sipas trajnerit, nuk mjafton vetëm emri apo niveli i klubit. Gjendja dhe minutat në fushë janë elementë thelbësorë për të fituar një vend në Kombëtare.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse turin e tij në Europë Maran do ta mbyllë edhe me zbulimin e ndonjë emri të ri për fanellën kuqezi.

Top Channel