Çfarë spektakli në “Stamford Bridge”! Chelsea ka marrë një fitore dramatike 4-3 ndaj Brighton, në një ndeshje të çmendur me shtatë gola, emocione dhe dramë deri në sekondat e fundit.

“Blutë” e nisën furishëm, por në fund iu desh të luftonin me zemrën në dorë për të mbrojtur tre pikët.

Chelsea e goditi Brighton që në minutat e para. Romeo Lavia zhbllokoi sfidën në minutën e 4-t, ndërsa vetëm dhjetë minuta më vonë Pedro Neto dyfishoi avantazhin.

Në minutën e 32-të, Joao Pedro shënoi edhe golin e tretë dhe gjithçka dukej nën kontroll për skuadrën londineze.

Por Brighton reagoi menjëherë. Malick Yalcouyé shënoi në minutën e 35-të dhe i dha jetë skuadrës mike, duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 3-1.

Në fraksionin e dytë, Chelsea kërkoi të menaxhonte avantazhin, por Brighton e ktheu ndeshjen në një thriller të vërtetë.

Në minutën e 63-të, Joao Pedro shënoi në portën e tij, duke e ngushtuar diferencën në 3-2 dhe duke rikthyer plotësisht tensionin në “Stamford Bridge”.

Chelsea reagoi dhe në minutën e 74-t Cole Palmer shënoi golin e katërt pas asistimit të Joao Pedros. 4-2 dhe dukej se “Blutë” më në fund po merrnin frymë.

Drama arriti kulmin në minutën e 90+6’, kur Pascal Gross shënoi për 4-3.

Chelsea duhej të përballonte edhe sekondat e fundit me shumë presion, por ia doli të ruante avantazhin dhe të merrte një tjetër fitore.

Me këtë sukses, Chelsea regjistron fitoren e dytë në po kaq ndeshje në kampionat.

6 pikë nga 6 të mundshme për skuadrën londineze, e cila e nis sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, por ende me shumë probleme në mbrojtje.

Top Channel