Julián Álvarez është rikthyer të dielën në stërvitje me pjesën tjetër të skuadrës së Atlético Madrid, pas disa ditësh mungesë për shkak të një “gjendjeje jo të mirë shëndetësore”.

Sulmuesi argjentinas mungoi në seancat stërvitore të së mërkurës, të enjtes dhe të premtes, ndërsa të premten pasdite, një ditë para ndeshjes ndaj Sevillas, u stërvit individualisht në Majadahonda, nën drejtimin e një përgatitësi fizik. Të dielën, Álvarez është rikthyer normalisht në grup.

Futbollisti mbërriti në qendrën stërvitore së bashku me miqtë e tij, portierin Musso dhe Cristian “Cuti” Romero, i cili ishte veçanërisht i vëmendshëm ndaj tij.

Stafi teknik përgatiti një seancë për lojtarët që nuk luajtën ose patën pak minuta në ndeshjen ndaj Sevillas, së bashku me disa futbollistë të akademisë. Programi përfshiu punë fizike, ushtrime me top dhe një ndeshje të vogël, nën vëzhgimin e Carlos Alemañy dhe Diego Simeones.

Trajneri argjentinas i kushtoi vëmendje të veçantë Álvarez dhe e përgëzoi për disa veprime të mira me topin.

“Bravo, Julián!”, i tha Simeone gjatë seancës.

Pak para ndeshjes Sevilla-Atlético, Alemañy kishte dhënë një mesazh qetësues në lidhje me situatën e sulmuesit.

“Plani është shumë i qartë. Julián pati disa ditë kur nuk u ndje mirë. Dje u stërvit dhe shpresojmë që të rikthehet shpejt dhe të jetë në ndeshjen e ardhshme të kampionatit. Kam folur me të dhe gjithçka është normale”, deklaroi ai.

Atlético Madrid po përpiqet të paraqesë situatën si normale dhe të lehtësojë rikthimin e argjentinasit pas një jave të komplikuar, e cila ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth të ardhmes së tij.

Merkatoja mbyllet të martën në orën 23:59 dhe te Atlético Madrid mbizotëron një qetësi e tensionuar për situatën e Álvarez.

Argjentinasi tashmë e di se transferimi te Barcelona nuk do të realizohet. Ndërkohë, Arsenali mbetet në pritje, por ideja e rikthimit në Angli nuk duket se e bind plotësisht sulmuesin.

Nga klubi madrilen përcillet qetësi si për situatën e lojtarit, ashtu edhe për rikthimin e tij në stërvitje. Megjithatë, pas skenave të ditëve të fundit, vazhdon të ketë pikëpyetje rreth të ardhmes së argjentinasit.

Telenovela e verës për Julián Álvarez mund të zgjasë maksimumi deri të martën në mbrëmje, kur mbyllet zyrtarisht merkatoja.

Top Channel