“Agresiviteti duhet të jetë kostumi ynë”, Maran zbulon Shqipërinë që kërkon: Dua t’i bëj shqiptarët krenarë
Harry Kane dhe Bayern Munich kanë hyrë në një fazë delikate të negociatave për rinovimin e kontratës së sulmuesit anglez, e cila aktualisht skadon në vitin 2027.
Pas fitores 5-1 ndaj Stuttgartit në startin e kampionatit, Kane konfirmoi se bisedimet kanë nisur, por theksoi se marrëveshja nuk mund të arrihet brenda pak ditësh.
“Takimi i parë ishte këtë javë. Por çështje të tilla nuk zgjidhen brenda një ose dy javësh. Do të ketë shumë më tepër biseda për detajet”, deklaroi Kane. I pyetur për kushtet e kontratës, kapiteni i Anglisë preferoi të mos jepte detaje: “Nuk do të flas këtu për detajet”.
Pavarësisht kësaj, sulmuesi la të kuptohet se negociatat po zhvillohen në një atmosferë pozitive.
“Bisedimet janë pozitive, kështu që për momentin gjithçka po shkon mirë. Në javët e ardhshme do të vazhdojmë të flasim dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
Një nga pikat kryesore të diskutimit është kohëzgjatja e kontratës së re, me palët që po shqyrtojnë një marrëveshje prej dy ose tre vitesh. Kane, i cili që prej transferimit te Bayern në vitin 2023 ka fituar tri herë titullin e golashënuesit më të mirë të Bundesligës, dëshiron një kontratë afatgjatë.
“Do të doja të rinovoja për një periudhë të gjatë. Por do të shohim në fund se sa vite do të jenë. Jam i sigurt se do të arrijmë në një pikë ku të dyja palët të jenë të kënaqura. Shpresoj që kështu të ndodhë”, tha 33-vjeçari.
Kane pranoi gjithashtu se kontrata e ardhshme ka një rëndësi të veçantë për të, duke marrë parasysh moshën dhe fazën e karrierës në të cilën ndodhet.
“Në një kontratë të tillë hyjnë shumë gjëra. Jam 33 vjeç, ndaj ndoshta nuk do të jetë kontrata ime e fundit, por është një kontratë shumë e rëndësishme për mua. Duhet të sigurohem që të jem i lumtur dhe klubi duhet të sigurohet që edhe ai të jetë i kënaqur. E mira është se asnjëra palë nuk është në panik. Për momentin janë thjesht bisedime të hapura, si me çdo kontratë tjetër gjatë karrierës sime”, shtoi sulmuesi.
Edhe drejtori ekzekutiv i Bayern Munich, Jan-Christian Dreesen, u shfaq optimist për përfundimin e negociatave.
“Kimia është totale, ndaj jemi plotësisht të qetë për këtë çështje. Nuk ka rëndësi nëse ndodh një ditë më herët apo më vonë”, deklaroi Dreesen.
Kështu, pavarësisht pikave që ende duhet të zgjidhen, në Mynih nuk ka alarm. Kane dëshiron të vazhdojë në Bayern, ndërsa klubi gjerman kërkon të sigurojë shërbimet e golashënuesit anglez përtej vitit 2027.
Top Channel