Harry Kane dhe Bayern, nis “konflikti” për rinovimin e kontratës. Sulmuesi dhe klubi nuk kanë rënë ende dakord
Rolando Maran e ka të qartë se çfarë Shqipërie kërkon të ndërtojë. Për trajnerin italian, kuqezinjtë duhet të kenë një identitet të qartë në fushë, ku lufta, agresiviteti dhe dëshira për të rifituar topin të jenë pjesë e pandashme e lojës.
Në një intervistë ekskluzive për Top Channel, Maran foli për mentalitetin që kërkon të transmetojë te skuadra dhe për mënyrën se si dëshiron që Kombëtarja të përfaqësojë fanellën kuqezi.
“Për mentalitet, sipas meje, Kombëtarja shqiptare duhet të jetë e animuar nga lufta, nga një diçka që është më e fortë edhe se taktika dhe cilësitë. Dhe kjo, për mua, duhet të jetë e qartë”, tha Maran.
Trajneri kërkon që agresiviteti të mos mbetet vetëm një fjalë, por të përkthehet në mënyrën se si Shqipëria luan në fushë.
“Duhet të arrijmë ta bëjmë në ato zona të fushës ku mund të jemi më të fortë”, u shpreh ai.
Më pas, Maran dha një nga deklaratat më të forta të intervistës:
“Ky agresivitet, ky kërkim për të rifituar topin, do të duhet të jetë kostumi ynë për ndeshjen.”
Por për italianin, rezultati nuk është i vetmi objektiv. Ai dëshiron një Kombëtare me të cilën shqiptarët të identifikohen.
I pyetur se çfarë do të donte të shihte në ndeshjen e parë të Nations League, Maran e nisi me një batutë: “Le ta nisim nga rezultati kësaj radhe”, përpara se të shpjegonte vizionin e tij.
“Është të shohësh që t’i bësh shqiptarët krenarë për Kombëtaren, të shohësh që ata identifikohen dhe e gjejnë veten te këta djem që veshin fanellën.”
Sipas tij, lojtarët duhet të sjellin në fushë gjithçka që përfaqëson një komb.
“Te këta futbollistë që veshin fanellën dhe sjellin në fushë gjithçka që përfaqëson një komb. Dhe kjo do të më bënte të ndihesha krenar që kam sjellë një skuadër me këto karakteristika.”
Maran foli edhe për marrëdhënien e tij me Shqipërinë, duke treguar se po përpiqet ta njohë vendin edhe përtej futbollit.
“Po e jetoj çdo ditë dhe ndihem shumë mirë. Ka një mikpritje të jashtëzakonshme.”
Trajneri italian përdori një krahasim të veçantë për mënyrën se si po e përjeton eksperiencën shqiptare.
“Këtu më duhet të jetoj në një hapësirë më të madhe, një komb, por po e jetoj sikur të ishte shtëpia ime.”
Maran nuk trembet as nga pritshmëritë e larta që janë krijuar rreth Kombëtares pas paraqitjeve në Europian dhe në eliminatoret e Botërorit.
“Të kesh pritshmëri dhe të kesh ëndrra është bukur”, tha ai.
Sipas trajnerit, pritshmëritë duhet të kthehen në motivim dhe jo në presion.
“Besoj se nëse ne këto objektiva dhe këto pritshmëri i përjetojmë si një stimul, atëherë është shumë mirë.”
Një Shqipëri agresive, luftarake dhe me identitet. Kjo është skuadra që Rolando Maran kërkon të ndërtojë për ndeshjet zyrtare që tashmë janë në prag.
Top Channel