Policia në Poloni ka arrestuar të enjten presidentin e Komitetit Olimpik Polak, Radosław Piesiewicz, nën dyshimin se ka marrë ryshfete nga një tregtar kriptomonedhash në këmbim të marrëveshjeve të sponsorizimit.

Piesiewicz, i cili konsiderohet i afërt me krahun nacionalist të së djathtës polake, dyshohet se ka marrë përfitime financiare nga Zondacrypto, kompani për të cilën autoritetet polake pretendojnë se ka lidhje me grupe nacionaliste të opozitës, krimin e organizuar dhe shërbimet ruse të inteligjencës. “Radosław Piesiewicz është arrestuar”, konfirmoi ministri i Sportit i Polonisë, Jakub Rudnicki, në një postim në rrjetin social X.

“Një person i tillë nuk duhet të kishte qenë kurrë president i Komitetit Olimpik Polak. Piesiewicz e ka diskredituar olimpizmin polak”, shtoi ai. Ministri i Brendshëm, Marcin Kierwinski, e cilësoi Piesiewicz si një “simbol të korrupsionit ekstrem që ka prekur lëvizjen olimpike”. Ai deklaroi gjithashtu se zgjedhja e tij në krye të Komitetit Olimpik ishte mbështetur nga qeveria e mëparshme, e drejtuar nga partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Autoritetet nisën një hetim në prill, çka bëri që shumica e federatave sportive në Poloni të kërkonin dorëheqjen e Piesiewicz.

Shpërblime në kriptomonedha për sportistët

Sipas autoriteteve, Piesiewicz ishte përgjegjës për nënshkrimin e një marrëveshjeje sponsorizimi mes Komitetit Olimpik Polak dhe Zondacrypto, një fond kriptomonedhash që tashmë ka ndaluar aktivitetin.

Në bazë të marrëveshjes, medalistët polakë të Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina në shkurt do të shpërbleheshin me kriptomonedha. Megjithatë, pagesat e këtyre shpërblimeve rezultuan të ishin, në rastin më të mirë, të çrregullta.

Qeveria polake vlerëson se zhdukja e Zondacrypto shkaktoi humbje prej rreth 350 milionë zloty, ose rreth 80 milionë euro, ndërsa rreth 30 mijë persona dyshohet se kanë rënë viktima të kompanisë. Ministri i Brendshëm e cilësoi Zondacrypto-n si “në realitet një skemë Ponzi”.

Mediat polake kanë raportuar gjithashtu se Piesiewicz kishte marrë nga drejtuesi i Zondacrypto, Przemyslaw Kral, një orë me vlerë rreth 40 mijë euro. Piesiewicz ka mohuar akuzat, duke deklaruar se e kishte paguar vetë orën. Sipas raportimeve, Kral po bashkëpunon me prokurorët në përpjekje për të përfituar një dënim më të lehtë në rast se çështja shkon në gjykatë. Piesiewicz është një nga emrat e përfshirë nga prokurorët në hetimin për Zondacrypto.

Hetimi ka prekur gjithashtu lidhjet e kompanisë me televizionin Republika, i njohur për qëndrimet e tij nacionaliste. Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk ka deklaruar në parlament se themeluesi i Zondacrypto-s, Sylwester Suszek, është “zhdukur” dhe “me shumë gjasa” ka vdekur. Suszek, i cili themeloi kompaninë në vitin 2014, u zhduk në vitin 2022. Më pas, drejtimin e kompanisë e mori Przemyslaw Kral.

Tusk ka pretenduar gjithashtu se skandali i Zondacrypto-s përfshin para të “mafias ruse”. Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, i zgjedhur në vitin 2025 dhe i konsideruar pjesë e së djathtës nacionaliste, ka bllokuar tre herë projektligjet që synonin rregullimin e tregut të kriptomonedhave në vend.

Top Channel