Startup Albania ka bërë publike rezultatet e Programit të Financimit Grant 2026, me një rritje të ndjeshme të fondit dhe numrit të startup-eve përfituese. Për këtë vit, fondi i programit është dyfishuar në 600 milionë lekë, ndërsa financim do të përfitojnë 163 startup-e, kundrejt 81 të mbështetura në vitin 2025.
Interesi për programin ka qenë rekord, me 1.179 aplikime të dorëzuara nga startup-e në të gjithë vendin. Programi ka zgjeruar ndjeshëm shtrirjen territoriale, duke mbështetur startup-e nga të gjitha qarqet e Shqipërisë, ndërsa për herë të parë në hartën e përfituesve janë përfshirë edhe qarqet Berat dhe Kukës.
Financimi do të mbështesë sipërmarrje në sektorë strategjikë, përfshirë teknologjinë e informacionit, inteligjencën artificiale, mjedisin, energjinë, agribiznesin, turizmin dhe zgjidhjet digjitale.
“Tiranë, gusht 2026 — Innovation4Albania (I4A), agjencia shtetërore në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, shpall rezultatet e Programit të Financimit Grant 2026, thirrjes më të madh të këtij programi që nga krijimi i tij. Në përmbushje të angazhimit publik të Qeverisë Shqiptare, fondi i programit u dyfishua nga 300 në 600 milionë lekë, ndërsa numri i startup-eve të mbështetura u rrit nga 81 në vitin 2025, në 163 në vitin 2026. Ky përfaqëson investimin më të madh të bërë deri më sot nga Qeveria Shqiptare për mbështetjen e startup-eve dhe inovacionit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ekonomisë së bazuar në sipërmarrje dhe teknologji.
Interesi për programin shënoi nivele rekord, me 1.179 aplikime të paraqitura nga startup-e në të gjithë vendin. Rezultatet pasqyrojnë shtrirjen e ekosistemit në nivel kombëtar, me startup-e të financuara nga të gjitha qarqet e vendit. Krahasuar me thirrjen e kaluar, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të përfituesve nga qytetet jashtë Tiranës, veçanërisht në Vlorë, me 8 startup-e, dhe në Shkodër, me 7. Për herë të parë, qarqet Berat dhe Kukës janë pjesë e hartës së startup-eve të financuara, duke dëshmuar shtrirjen e ekosistemit të startup-eve në të gjithë vendin.Startup-et e mbështetura përfaqësojnë sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, nga Teknologjia e Informacionit dhe Inteligjenca Artificiale (AI), te Mjedisi, Energjia, Agribiznesi, Turizmi dhe zgjidhjet digjitale.
Programi konfirmon gjithashtu lidhjen me diasporën, me 18 themelues që jetojnë në qytete si Mynihu, San Francisko, Vjena, Londra, Mançesteri dhe Roma, duke sjell ekspertizën e tyre ndërkombëtare, rrjetet profesionale dhe kapitalin e tyre njerëzor.
Për herë të parë, Programi i Financimit Grant 2026 mbështet 8 organizata lehtësuese të ekosistemit, të përzgjedhura mes 40 aplikimeve, për të ofruar mbështetje teknike, rrjetëzim, ekspertizë sektoriale për startup-et në fusha si AI dhe ekonomia e gjelber dhe digjitale.
Vetëm disa muaj më parë, sipas renditjes më të fundit të StartupBlink, Shqipëria u vlerësua e 4-ta në Evropë për rritjen e ekosistemit të startup-eve, duke u ngjitur 8 vende në renditjen globale (aktualisht #75 në botë) dhe duke shënuar një rritje vjetore prej +71.1%, një nga rritjet më të larta në kontinent dhe e treta më e lartë në botë. Tirana, në veçanti, u ngjit 17 vende në renditjen e qyteteve, me një rritje prej +40.5%, duke u renditur si qyteti i tretë më në rritje në Ballkan”, shkruan Startup Albania.
Top Channel