Korça në sytë e 11 artistëve, ekspozita “Dola për një shëtitje” bashkon në Korçë 11 artistë nga bota

28/08/2026 15:30

Ekspozita kolektive “Dola për një shëtitje” solli në Korçë një përvojë të re artistike, duke bërë bashkë krijimtarinë e 11 artistëve vendas dhe ndërkombëtarë, pjesë e Rezidencës Artistike Korçë, që u ofroi krijuesve hapësirën, kohën dhe frymëzimin e nevojshëm për të zhvilluar kërkimet e tyre pamore dhe për të gërshetuar përvojat e tyre jetësore me atmosferën unike të qytetit.

Inspirimi nga arkitektura e Pazarit të Vjetër, lagjet karakteristike, Katedralja, por edhe klima apo mikpritja e ngrohtë u pasqyruan në veprat e ekspozuara. Përmes pikturës, artit abstrakt dhe gërshetimit të relieveve, artistët e huaj sollën në telajo mbresat e tyre nga Korça.

“Unë vij për herë të parë në Korçë dhe më është dukur një qytet shumë i bukur. Pasi vizitova disa prej zonave në qendër të qytetit, vendosa që në 3 pikturat e mia të sjell një miks me imazhe të cilat ngelën në memorien time, si katedralja e qytetit dhe qentë e macet, pasi unë i dua shumë kafshët”, tha piktorja Sarah Rousset.

“Unë prej një viti jam pjesë e rezidencës artistike në Tiranë. Vij nga Strasburgu i Francës dhe është një qytet ndryshe nga Korça, ndaj qyteti juaj më ka tërhequr vëmendjen. Në këtë ekspozitë unë sjell sot detaje mobiljesh në një art që unë e konceptoj ndryshe, pra në ngjashmërinë që kanë këto shenja me dorën e njeriut. Më pëlqejnë edhe pikturat abstrakte”, tha piktori Gil Zinck.

“Unë vij nga Nisa, një vend në jug të Francës, jam ndjerë si në shtëpinë time këtu në Korçë. Në këtë ekspozitë kam sjellë disa punime që janë ndërthurje mes pikturës dhe relieveve. Më e veçanta që kam sjellë në këtë ekspozitë është portreti i heroit tuaj kombëtar Skënderbeut”, tha piktori Fabien Karp.

Kjo ekspozitë për pjesëmarrësit tejkaloi kufijtë e një prezantimi të thjeshtë pamor, duke u shndërruar në një urë të gjallë dialogu mes artit bashkëkohor, komunitetit lokal dhe publikut artdashës korçar.

Top Channel