BE kërkon kufizime nga Meta/ Pas marrëveshjes në SHBA, Brukseli kërkon mbrojtje të njëjtë për fëmijët
Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian po kërkojnë që Brukseli të rikthejë përpjekjet për përdorimin e aseteve sovrane ruse të ngrira për të financuar Ukrainën.
Sipas Financial Times, Suedia, Holanda, Spanja dhe Polonia janë mes vendeve që po i kërkojnë Komisionit Evropian të rifillojë punën për këtë plan.
Në BE ndodhen më shumë se 200 miliardë euro në asete të Bankës Qendrore të Rusisë, të cilat janë bllokuar si pjesë e sanksioneve ndaj Moskës pas nisjes së luftës në Ukrainë. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve mbahet në Belgjikë.
Belgjika ka kundërshtuar përdorimin e drejtpërdrejtë të këtyre aseteve për financimin e Ukrainës, duke ngritur shqetësime të lidhura me rreziqet ligjore dhe financiare. Megjithatë, një grup shtetesh anëtare po kërkon që Komisioni Evropian të shqyrtojë sërish mundësinë e përdorimit të fondeve dhe të japë më shumë informacion mbi alternativa ligjore dhe teknike që mund të lejojnë kapërcimin e pengesave të vendosura nga Belgjika.
Çështja pritet të jetë një nga temat e ndjeshme në diskutimet e ardhshme të BE-së për mbështetjen financiare ndaj Ukrainës.
Kremlini e ka kundërshtuar ashpër çdo përpjekje për përdorimin e aseteve ruse, duke paralajmëruar se Moska do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për ta bllokuar një veprim të tillë.
Top Channel