‘Telenovela’ Leao drejt fundit? Pritet të vijë oferta e re e Galatasaray që mund të bindë Milanin
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, doli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Athletic Club dhe, siç pritej, një nga temat kryesore ishte situata e Julián Álvarez.
Flick zhvilloi një takim me presidentin Joan Laporta dhe drejtorin sportiv Deco në Ciutat Esportiva, ku në qendër të diskutimeve ishte edhe mundësia e transferimit të sulmuesit argjentinas nga Atlético Madrid. Megjithatë, trajneri gjerman zgjodhi të ishte i rezervuar.
“Presidenti dha dje një mesazh të qartë. Dhe Deco dhe unë jemi plotësisht dakord me të”, deklaroi Flick, duke iu referuar qëndrimit të klubit për situatën e Álvarez.
I pyetur sërish për argjentinasin, Flick preferoi të mos komentonte drejtpërdrejt emrin e tij dhe u fokusua te skuadra aktuale.
“Unë nuk dua të flas për Julián. Më intereson vetëm situata e klubit. Kemi bërë disa transferime shumë të mira këtë merkato dhe objektivi ynë është i qartë, por klubi duhet të mendojë edhe për të ardhmen, jo vetëm për të tashmen”, tha trajneri i Barcelonës.
Flick pranoi se, si trajner, do të dëshironte të kishte në dispozicion lojtarët më të mirë të mundshëm, por theksoi se vendimet e klubit duhet të jenë të qëndrueshme edhe në planin afatgjatë.
“Sigurisht, si trajner do të thoja: ‘Më sillni lojtarët më të mirë që mund të kem’. Por kjo mund të funksionojë ose jo. Kam besim të plotë te cilësia që kemi aktualisht në skuadër”, u shpreh ai. Trajneri gjerman vlerësoi gjithashtu punën e bërë nga drejtuesit e klubit gjatë kësaj vere.
“Klubi dhe Deco po bëjnë një punë të shkëlqyer, sepse po mendojnë edhe për të ardhmen, për tre, katër apo pesë vitet e ardhshme. Kjo është diçka e mirë dhe e stabilizon klubin, gjë që të gjithë e duam”, shtoi Flick.
Ndërkohë, situata rreth Julián Álvarez mbetet e hapur. Sulmuesi argjentinas nuk u stërvit sot me Atlético Madrid. Nga klubi madrilen u bë e ditur se lojtari “kaloi një natë të keqe”, duke shpjeguar mungesën e tij nga seanca stërvitore.
Në sfond, Barcelona vazhdon të monitorojë situatën. Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në mbylljen e merkatos dhe klubi katalanas pritet të provojë deri në fund mundësitë për të realizuar transferimin e Álvarez, i cili sipas raportimeve vazhdon të dëshirojë kalimin te Barcelona.
Top Channel