Një rregull i veçantë i UEFA Champions League ka sjellë një zhvillim të papritur për një nga duelet më klasike të futbollit europian. Zyrtarisht, Liverpool nuk do të mund të presë Realin e Madridit në “Anfield” gjatë fazës së ligës në këtë sezon.

Shkaku i këtij vendimi nuk ka të bëjë me sanksione, por me vetë rregulloren e formatit të ri të kompeticionit. Sipas rregullave të UEFA-s, e njëjta ndeshje nuk mund të zhvillohet për 3 sezone radhazi në të njëjtin stadium gjatë fazës së ligës.

Duke qenë se “The Reds” e kanë mirëpritur skuadrën spanjolle në shtëpinë e tyre gjatë dy edicioneve të kaluara, një përballje e tretë radhazi në tokën angleze është kategorikisht e pamundur në këtë raund.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që një super duel mes dy gjigantëve europianë është i përjashtuar. Nëse goglat e shortit do t’i vendosin sërish përballë njëra-tjetrës, ndeshja do të zhvendoset detyrimisht në kryeqytetin spanjoll. Sipas rregullores, Real Madrid ka të drejtë të jetë skuadra pritëse, duke e luajtur këtë sfidë në “Santiago Bernabéu”.

Vlen të theksohet se ky kufizim është i vlefshëm ekskluzivisht vetëm për fazën e ligës (ish-faza e grupeve). Nëse rrugët e të dyja skuadrave kryqëzohen sërish në fazat me eliminim direkt, atëherë ndeshjet do të zhvillohen normalisht me sistemin vajtje-ardhje, pa asnjë kufizim nga e kaluara.

Top Channel