Mbrëmja e sotme është ajo vendimtare dhe që do t’i japë përfundimisht formë fazës së Ligës në sezonin e ri të Champions League. Sot do të mësohen 4 skuadrat e fundit që do t’i bashkohen 32 ekipeve të tjera të kualifikuara tashmë në Fazën e Ligës së kompeticionit më të rëndësishëm evropian për klube.

Vëmendja më e madhe do të jetë padyshim te sfida mes Olympique Lyon dhe Fenerbahçe, një sfidë kjo që do të transmetohet në ekranin e Top Channel, ashtu sikurse edhe të gjitha ndeshjet e tjera më të mira të çdo të mërkure.

Në ndeshjen e parë të dyja skuadrat janë ndarë me barazimin 1-1 kështu që gjithçka është e hapur përsa i përket kualifikimit për më tej me të dyja skuadrat që kanë shanse të barabarta për të shkruar emrin mes 36 skuadrave më të mira që do të garojnë mes tyre për trofeun me veshë të mëdhenj. Fenerbahçe do të besojë te nuhatja e golit e Vedat Muriqit në tentativën e tij për të triumfuar në tokën franceze.

Gjithçka e hapur është edhe në ndeshjen tjetër të mbrëmjes së sotme mes AEK të Athinës ku aktivizohen dy futbollistët e kombëtares shqiptare Thomas Strakosha  dhe Stavros Pilos, dhe Levski të Sofjes. Sfida e zhvilluar në Bullgari u mbyll me barazimin 0-0 me skuadrën greke që do të ketë në favorin e saj faktorin fushë për të tentuar kualifikimin për në fazën e Ligës së Champions League.

Barazimi është fjala që dominon në raundin e playoffit të kompeticionit pasi edhe në dy ndeshjet e tjera gjithçka është e hapur. Dinamo e Zagrebit, pjesë e të cilit është futbollisti tjetër i kombëtares shqiptare, Arbër Hoxha do të presë Viking dhe ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ka përfunduar me barazimin 2-2. Por skuadra kroate do të luajë përballë publikut të saj, gjë që përbën një avantazh për të. Celje-Slovan Bratislava është sfida tjetër e Ligës së Kampioneve, edhe në këtë rast do të jetë ky 90 minutësh ai që do të përcaktojë gjithçka pasi skuadrat vijnë pas barazimit 1-1 të ndeshjes së parë mes tyre.

Top Channel