Iku katër herë nga burgu, policia spanjolle kap mjeshtrin italian të arratisjeve

26/08/2026 15:39

Policia spanjolle ka arrestuar një të arratisur të rrezikshëm, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si “Mjeshtri i arratisjeve”, pasi kishte mundur të largohej katër herë nga burgjet.

Burri, identiteti i të cilit nuk është bërë publik, kërkohej nga Italia përmes një urdhër-arresti europian. Arratisja e tij e fundit ndodhi në muajin dhjetor nga një burg italian i sigurisë së lartë. Sipas policisë, ai preu hekurat e një dritareje dhe më pas zbriti nga ndërtesa duke përdorur çarçafë të lidhur me njëri-tjetrin.

Më herët ishte arratisur nga burgjet e Ternit dhe Parmës në Itali, si dhe nga një institucion vuajtjeje dënimi në Belgjikë. Gjatë arratisjes nga burgu belg, ai përdori një piramidë njerëzore për të kapërcyer muret rrethuese. Policia spanjolle e lokalizoi në një lagje të qytetit Tarragona, ku dyshohej se jetonte.

Ai bëri rezistencë gjatë arrestimit, ndërsa disa persona që e shoqëronin tentuan të ndërhynin. Njëri prej tyre dyshohet se plagosi dy efektivë policie. Gjatë kontrollit, të arrestuarit iu gjetën dokumente të falsifikuara dhe kartëmonedha 500-euroshe, të dyshuara si të falsifikuara.

Gjykata vendosi mbajtjen e tij në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht, në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Italisë.

Top Channel