Befasia e madhe në Arabi, Ronaldo lihet në stol në pjesën e dytë. Reagimi i ashpër pas ndeshjes: Nuk mund të bëhesha portier

26/08/2026 12:22

Cristiano Ronaldo u la në dhomat e zhveshjes pas pjesës së parë në ndeshjen e Al Nassr ndaj Al Ettifaq, në një vendim që shkaktoi vëmendje të madhe. Sulmuesi portugez u duk i irrituar teksa po largohej nga fusha dhe hoqi edhe shiritin e kapitenit.

Al Nassr e nisi keq takimin e vlefshëm për javën e tretë të Saudi Pro League. Skuadra e drejtuar nga Ange Postecoglou mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 12-të, pas kartonit të kuq të portierit Bento. Më pas, Al Ettifaq shënoi dy gola dhe shkoi në pushim me avantazhin 2-0.

Ronaldo, i cili po luante ndeshjen e parë si titullar pas rikthimit nga Botërori, nuk pati një paraqitje në nivelin e tij të zakonshëm. Për këtë arsye, Postecoglou vendosi të mos e aktivizonte në pjesën e dytë, duke futur në fushë Abdullah Al Khaibari.

Vendimi rezultoi i suksesshëm. Al Nassr realizoi një përmbysje spektakolare në pjesën e dytë. Sadio Mané ngushtoi diferencën në minutën e 74-t, ndërsa Abdulelah Al Amri barazoi vetëm tre minuta më vonë. Në minutën e 90-të, Mané shënoi sërish dhe i dha Al Nassr fitoren 3-2. Pas ndeshjes, Postecoglou u përpoq të minimizonte polemikat rreth Ronaldos.

“Detyra ime është të ndihmoj lojtarët në çdo ndeshje, bazuar në atë që shoh. Cristiano nuk kishte luajtur shumë kohët e fundit dhe, duke qenë me 10 lojtarë, ishte e vështirë për të të vazhdonte pas 45 minutash. Mbrojtësit po e markonin shumë ngushtë”, shpjegoi trajneri. Ai theksoi se vendimi ishte tërësisht taktik dhe jo për shkak të ndonjë dëmtimi.

“Fola me Cristianon në pushim dhe i shpjegova arsyet e mia. Ai dëshiron gjithmonë të ndihmojë skuadrën në çdo mënyrë. Është jashtëzakonisht profesionist dhe jam shumë i lumtur që e stërvit. Ndonjëherë duhet të marrësh vendime të vështira për skuadrën, edhe kur nxjerr nga loja një futbollist që mund të ndryshojë një ndeshje në çdo moment”, tha Postecoglou.

Ronaldo, nga ana tjetër, sqaroi vetë arsyen e nervozizmit të tij në pushim. Portugezi mohoi se kishte pasur një përplasje me trajnerin dhe tha se thjesht po i shpjegonte atij se nuk ishte përgjegjës për rezultatin.

“Po i thosha trajnerit se nuk kisha asnjë përgjegjësi për atë që ndodhi. Nuk mund të fajësohem nëse nuk shënuam. Po përpiqesha të luaja dhe të krijoja raste, por situata ndryshoi plotësisht pas përjashtimit”, tha Ronaldo.

“Goli i parë erdhi pas një gabimi të madh të portierit dhe më pas erdhi kartoni i kuq. Papritur u gjendëm duke luajtur me 10 lojtarë. Çfarë duhej të bëja? Nuk mund të bëhesha portier, nuk mund ta ndaloja arbitrin të përjashtonte Bentos dhe nuk mund të shënoja në çdo goditje”, shtoi ai.

Ronaldo pranoi se ishte i frustruar nga rezultati në pushim, por mohoi se po fajësonte trajnerin apo shokët e skuadrës.

“Thjesht po i thosha: ‘Trajner, nuk është faji im. Unë bëra detyrën time’. Më pas, gjëja më e rëndësishme ishte të harronim diskutimet dhe të fokusoheshim te pjesa e dytë”, deklaroi ylli portugez.

Në fund, Ronaldo vlerësoi reagimin e skuadrës: “Futbolli nuk ka të bëjë kurrë vetëm me një lojtar. Kur gjërat shkojnë keq, përgjegjësinë e marrim së bashku dhe kur bëjmë një përmbysje si kjo, festojmë së bashku”.

Top Channel