Ngriti padi ndaj KED/ Rrëzohet ndalimi 15-vjeçar për Eugen Papandilen, Gjykata Evropiane: Shqipëria shkeli të drejtat e tij

25/08/2026 11:52

Një tjetër karton i kuq nga Strasburgu për mënyrën sesi organet e vettingut u sollën me njerëzit e drejtësisë. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Strasburgu e dënoi Shqipërinë me një gjobë prej tre mijë eurosh dëmshpërblim, që duhet t’i paguhet sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese. Strasburgu e konsideroi vendimin e vettingut ndaj Papandiles si jo proporcional.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës në çështjen “Papandile kundër Shqipërisë”. GJEDNJ vlerëson se ndalimi 15-vjeçar për të ushtruar disa funksione të larta në drejtësi ishte joproporcional dhe rekomandon rihapjen e procesit të vettingut nëse kërkohet nga Papandile.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dhënë këtë të martë, më 25 gusht 2026, vendimin për çështjen “Papandile kundër Shqipërisë”, duke konstatuar se autoritetet shqiptare kanë shkelur të drejtën e Eugen Papandiles për respektimin e jetës private dhe profesionale.

Çështja lidhet me vendimin e organeve të vettingut për ndërprerjen e procesit ndaj Papandiles dhe vendosjen ndaj tij të një ndalimi 15-vjeçar për t’u emëruar në një sërë funksionesh të larta në sistemin e drejtësisë.

Papandile kishte shërbyer si këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese dhe në vitin 2017 kishte dorëzuar deklaratën e vettingut. Në vitin 2018 ai u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Në vitin 2021, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procesin e vettingut ndaj tij. Një vit më vonë, KPK vendosi ta ndërpresë procedurën dhe t’i vendosë ndalimin 15-vjeçar për t’u emëruar si gjyqtar ose prokuror, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor apo Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm. Vendimi u la në fuqi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në prill 2023.

GJEDNJ: Ndëshkimi ishte joproporcional

GJEDNJ vlerësoi se kalimi i Papandiles në postin e Sekretarit të Përgjithshëm nuk mund të trajtohej në të njëjtën mënyrë si një largim nga sistemi i drejtësisë me qëllim shmangien e vettingut.

Sipas Gjykatës, Papandile kishte avancuar në karrierë brenda së njëjtës Gjykatë Kushtetuese dhe kishte vazhduar të punonte në sistemin e drejtësisë.

Pikërisht për këtë arsye, Gjykata arriti në përfundimin se kufizimi i mundësive të tij të ardhshme profesionale, ndërkohë që ai vazhdonte të ushtronte një funksion të lartë në sistemin e drejtësisë, ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin e karrierës dhe identitetin e tij profesional.

GJEDNJ theksoi se qëllimi i rregullit që parashikon ndalimin 15-vjeçar është legjitim, pasi synon të parandalojë shmangien e procesit të vettingut. Megjithatë, zbatimi i këtij rregulli në rastin konkret ishte joproporcional.

“Ndërhyrja nuk është treguar se ka qenë proporcionale me qëllimet legjitime të ndjekura në rrethanat e çështjes”, thuhet në vendim.

Ndalimi 15-vjeçar

Vendimi i GJEDNJ-së nuk e heq automatikisht ndalimin 15-vjeçar. Gjykata nuk ka urdhëruar një zgjidhje specifike, por ka vlerësuar se, nëse Papandile e kërkon, do të ishte e përshtatshme rihapja e procedurave të vettingut dhe rishqyrtimi i çështjes, në përputhje me standardet e përcaktuara në vendimin e saj.

GJEDNJ e lidh këtë mundësi me faktin se të dyja strukturat e vettingut kanë përfunduar tashmë mandatet e tyre dhe Kushtetuta parashikon mënyrën se si trajtohen procedurat e mbetura apo të pazgjidhura pas përfundimit të mandateve.

Shqipëria duhet të paguajë 3 mijë euro

Për shkeljen e konstatuar të nenit 8 të Konventës, Gjykata vendosi që Shqipëria t’i paguajë Eugen Papandiles 3,000 euro për dëmin jopasuror, plus çdo taksë që mund të aplikohet.

Kërkesa për shpenzime dhe kosto të tjera gjyqësore u rrëzua nga Gjykata. Vendimi është marrë unanimisht dhe është njoftuar me shkrim më 25 gusht 2026.

Top Channel