Top-sekretet ruse në duart e Britanisë, marrëveshja historike me Ukrainën
Në epokën e teknologjisë së avancuar, edhe mënyrat e kryerjes së krimeve po ndryshojnë.
Një 23-vjeçar nga Nebraska, SHBA, përdori ChatGPT për të kërkuar informacion mbi mënyrën se si mund të grabiste një bankë, por në fund ishte pikërisht historiku i telefonit të tij që e çoi në burg.
Deron Lewis-Payne u dënua me më shumë se 10 vite burg nga një gjykatë në Omaha, pasi u shpall fajtor për grabitjen e një banke të kryer në shkurt.
I armatosur me një pistoletë gjysmëautomatike, i riu hyri në një bankë dhe kërcënoi një arkëtar, duke i kërkuar paratë. Pasi mori pak më shumë se 9 mijë dollarë, ai u largua nga vendngjarja. Një pjesë të madhe të shumës e shpenzoi pak më vonë për rroba dhe këpucë në një qendër tregtare aty pranë.
Ndërkohë, kamerat e sigurisë kishin regjistruar grabitjen dhe ndihmuan autoritetet ta identifikonin. Lewis-Payne pranoi se kishte drejtuar makinën e kapur nga kamerat, por mohoi të kishte marrë pjesë në grabitje.
Hetuesit morën leje për të kontrolluar telefonin e tij dhe aty gjetën prova që e lidhën drejtpërdrejt me krimin. Në historikun e internetit, policia zbuloi disa kërkime që 23-vjeçari kishte bërë në ChatGPT, duke kërkuar informacion mbi mënyrën e kryerjes së një grabitjeje banke.
Por nuk ishte vetëm ChatGPT që e tradhtoi. Në historikun e Google Maps u gjet edhe një kërkim për udhëzime drejt “I3 Bank”, institucioni financiar që ishte objektivi i grabitjes.
Këto të dhëna, së bashku me provat e tjera të mbledhura nga hetuesit, rrëzuan versionin e të riut dhe çuan në dënimin e tij me më shumë se një dekadë burg.
Kështu, bashkëpunëtori teknologjik që Lewis-Payne kishte përdorur për të kërkuar mënyrën e kryerjes së grabitjes, përfundoi duke u bërë një nga provat që e çuan atë pas hekurave.
Top Channel