Chelsea mbrëmjen e së hënës mposhti Fulham ku spikatën Cole Palmer dhe Joao Pedro dhe Xabi Alonso debutoi me fitore në sezonin e ri. Por imazhin e ndeshjes e la Enzo Ferndandez; kur të gjithë futbollistët e Bluve po falënderonin tifozët për mbështetjen e tyre në Craven Cottage, argjentinasi duartrokiti lehtë dhe u largua për në dhomën e zhveshjes. Gjatë rrugës i dha fanellën një fëmije, por mesazhi ishte i qartë, diçka është thyer në raportet mes Enzo Fernandez dhe Chelsea.

Argjentinasi që u aktivizua si zëvendësues në sfidën me Fulham, përpara muajve të verës kishte shprehur dëshirën për t’u larguar dhe Chelsea e ndëshkoi me 2 ndeshje pezullim, një sanksion që për futbollistin ishte i padrejtë, duke parë se edhe Cucurella la të kuptohej se e shihte me sy të mirë një largim nga Stamford Bridge(dhe kështu ndodhi) dhe nuk pësoi asgjë. Por gjatë botërorit erdhi edhe goditja përfundimtare. Sjellja e tij në Angli-Argjentinë nuk është pëlqyer aspak dhe për këtë arsye Enzo Fernandez u prit me fërshëllima në Craven Cottage. Tifozët e Fulham nuk e kursyen as gjatë nxemjes, as në momentin kur skuadrat hynë në fushën e lojës dhe as kur ai u aktivizua dhe në çdo top që prekte, publiku i kundërvihej.

Por më e keqja për të është se ky kontestim për Enzo Fernandez nuk është vetëm nga tifozët rivalë, por edhe nga ata të Chelsea. Argjentinasi është fërshëllyer edhe në Stamford Bridge duke e bërë të qartë krisjen e raporteve mes tifozëve të Bluve dhe një prej futbollistëve më të mirë të kësaj skuadre.

Kalimi i tij deri te tuneli i stadiumit ishte një mesazh i qartë. Futbollisti dëshiron të largohet. Ashtu siç ishte edhe sjellja e tij pas ndeshjes. Enzo Fernandez, teksa priste autobusin e Chelsea, ishte ulur te porta e dhomës së zhveshjes së kundërshtarëve. Herë pas herë shihte nga zona e gazetarëve, të ndarë nga lojtarët me dy barriera, sikur të donte të thoshte diçka dhe nuk mundej

Ka mbetur edhe 1 javë nga mbyllja e merkatos dhe Chelsea, ndonëse ia lehtësoi gjërat duke vendosur çmim dhe afat për shitjen e tij, është në dilemë ose do të duhet të dorëzohet dhe të qëndrojë pa mesfushor kyç ose do të duhet të gjejë një zëvendësues. Manchester City do të duhet të ofrojë mbi 140 milionë euro për të siguruar shërbimin e tij dhe duke parë problemet që skuadra e Citizens ka pasur në dy ndeshjet e para kjo shifër mund të mos duket një çmenduri. Dëmtimi i mundshëm muskular  i Elliot Anderson në debutimin e tij në kampionat e gjallëron interesin e skuadrës së Enzo Marescas për Fernandez me të cilin trajneri italian kishte punuar edhe te Chelsea ku së bashku fituan Conference League dhe Botërorin e Klubeve.

Top Channel