Të huajt vijnë për punë në Shqipëri, mbi 32 mijë me leje qëndrimi, 55% e tyre kanë ardhur për punësim

24/08/2026 15:18

Në çdo 100 të huaj që kanë marrë leje qëndrimi në Shqipëri, 55 prej tyre kanë ardhur për të punuar.

Kjo është panorama që ofrojnë të dhënat e INSTAT, të cilat tregojnë se numri i të huajve që jetojnë në Shqipëri është rritur ndjeshëm. Në fund të vitit 2025, në vend kishte mbi 32 mijë me leje qëndrimi ose 46.6% më shumë se një vit më parë.

Nga pastrues, kopshtar, masazhator, punëtor magazine e deri tek asistent në profesione të ndryshme. Këto janë vendet e punëve të cilat po zihen gjithnjë e më shumë nga të huajtë në vendin tonë. INSTAT bëri të ditur se arsyeja kryesore pse këta të huaj po qëndrojnë në Shqipëri është puna.

Më shumë se gjysma e lejeve të qëndrimit, konkretisht 55.1%, janë dhënë për qëllime punësimi. Pas tyre vjen bashkimi familjar me 19.8%, ndërsa pjesa tjetër lidhet me arsye të ndryshme, qëndrime humanitare dhe studime.

Nëse ndalemi në hartën e origjinës së tyre, duket se indianët dhe filipinezët po mbizotërojnë. Kosova dhe Italia mbeten vendet që kanë numrin më të madh të shtetasve me leje qëndrimi, përkatësisht 19.5% dhe 12.6%. Por rritjen më të fortë e kanë shtetasit nga Filipinet dhe India. Numri i filipinasve është rritur me 136.1% krahasuar me vitin 2024, ndërsa ai i indianëve me 87.6%..

Kjo rritje vjen në një kohë kur Shqipëria përballet me nevojën për fuqi punëtore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Por jo të gjithë të huajt që hyjnë në vend janë të pajisur me dokumentacion të rregullt. Në vitin 2025 janë identifikuar 1 mijë e 926 të huaj në qëndrim të parregullt nga 1 mijë e 540 një vit më parë.

Përballë një situate të tillë, aplikimet për leje qëndrimi janë shtuar ndjeshëm.
Duket se kjo prirje mund të vijojë edhe më tej. Gjatë vitit 2025, aplikimet për leje qëndrimi u rritën me 43.5% krahasuar me një vit më parë. Vetëm shtetasit nga India dhe Filipinet përbënin më shumë se një të katërtën e të gjitha aplikimeve.

Numrat tregojnë se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë jo vetëm një destinacion për t’u vizituar, por edhe për të punuar.

 

Top Channel