Përkujtohen viktimat e diktaturës, ish-të përndjekur bëjnë apel: Më shumë mbështetje, të gjenden eshtrat e të zhdukurve

24/08/2026 20:08

Në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Autoriteti i Dosjeve dhe ish të përndjekurit politikë vendosën kurorë lulesh në Memorialin e Përndjekjes Politike në Lushnjë dhe u rikthyen në kampet e internimit në fshatrat e Lushnjës.

Një nga ndalesat ishte në Savër, një nga qendrat më të mëdha të internimit në Shqipëri, ku i pranishëm ishte dhe Presidenti Bajram Begaj, që bëri thirrje për veprim dhe bashkëpunim mes institucioneve për dokumentimin e plotë të historive dhe mbrojtja e vendeve të vuajtjes së ish-të përndjekurve për edukimin e brezave të rinj.

 “Ajo që na mbledh sot nuk është vetëm një vështrim përkujtimor prapa në kohë, është mbi të gjitha një detyrim ndaj të shkuarës dhe një detyrim ndaj të ardhmes, ndaj fëmijëve tanë. Koha ikën, nuk pret. Dëshmitarët po pakësohen, gjurmët fizike po degradojnë dhe kujtesa e drejtpërdrejtë po bëhet gjithnjë e më e brishtë. Prandaj duhet të veprojmë më shpejt, të mbledhim dëshmitë, të ruajmë fotografitë, të dixhitalizojmë dokumentet dhe ta bëjmë këtë histori pjesë të brezave të rinj”, tha presidenti Bajram Begaj.

Shumë ish të dënuar kanë ikur pa gjetur gjetur eshtrat e familjarëve apo pa rimarrë pronat. Për këtë, ndjesa e shtetit duhet të jetë e thellë, tha drejtoresha e Autoritetit për Informim mbi Dosjes e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, që kërkoi drejtësi dhe kërkim për të zhdukurit.

“Aktiviteti i sotëm zhvillohet në kuadrin e Ditës Europiane të Flijos së Zezë, që i dedikohet nderimit dhe respektit të viktimave të dy sistemeve, fashiste e staliniste”, tha Gentiana Sula.

Ish të përndjekurit shprehën zhgënjimin e tyre për mungesën e dëmshpërblimit dhe kërkuan masa praktike për t’u ardhur në ndihmë të persekutuarve.

Të pranishmit në ceremoni theksuan nevojën që vende të tilla të ruhen si hapësira dëshmie mbi të shkuarën e errët, të dëgjohen ata që kanë vuajtur shtypjen dhe të zbardhen krimet e regjimit diktatorial, sepse nëse nuk i njohim fajet që kemi bërë, shoqëria do ta përsërisë padrejtësinë.

Top Channel