Aston Villa mund t’i japë një ndihmë të madhe Milanit në këto ditë të fundit të merkatos. Klubi anglez i drejtuar nga Unai Emery, përvec Tomorit, ka vënë në shënjestrën e tij edhe një tjetër element që është nxjerrë në merkato nga kuqezinjtë. Bëhet fjalë pikërisht për Rafael Leaon, largimi i të cilit nga Milani po rezulton shumë i komplikuar.

Mbetet për t’u parë nëse klubi i Birmingham i kënaq ambiciet e portugezit që deri tani është kërkuar me këmbëngulje vetëm nga Galatasaray. Por futbollisti nuk ka qenë asnjëherë i interesuar për një transferim në kampionatin turk pa harruar këtu që oferta e Galatasaray nuk ishte e kënaqshme as për vetë Milanin.

Kuqezinjtë, që tashmë kanë hyrë në kontakte me Aston Villa(ende nuk është bërë ndonjë ofertë zyrtare), kërkojnë 50 milionë euro që të privohen nga Leao që duket se është jashtë projektit të Amorim. Ky i fundit vetëm pak orë më parë kishte mbyllur çdo diskutim për luzitanin. ‘Për momentin nuk është i rëndësishëm, të mendojmë për fushën. Të shohim se kur do të jetë gati’-kishte deklaruar Amorim përpara ndeshjes me Torinon.

Me fjalë të tjera, do të jetë e vështirë Rafael Leao të zbresë në fushën e lojës me fanellën e Milanit në ndeshjet e ardhshme zyrtare; kur kanë mbetur 8 ditë nga mbyllja e merkatos gjithçka mund të ndodhë. Por edhe opsioni Chelsea nuk duhet përjashtuar plotësisht. Shumë, për të mos thënë gjithçka, do të kalojë nga duart e Jorge Mendes që është vënë në kërkim të një destinacioni për 27 vjeçarin.

Top Channel