Detaje nga ngjarja në Malishevë, e reja shtatzënë dhe bashkëshorti u gjetën në gjendje të rëndë në dhomën e tyre të gjumit

24/08/2026 08:15

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së dielës në Malishevë të Kosovës, ku një 26-vjeçare humbi jetën dhe bashkëshorti i saj mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:20 të ditës së djeshme, në fshatin Kërvasari, pasi Policia e Kosovës u njoftua për një person të plagosur me armë zjarri.

Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe gjetën në një dhomë gjumi një çift bashkëshortor të plagosur.

Të dy u dërguan fillimisht për ndihmë mjekësore dhe më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Rreth orës 01:10, Policia u njoftua nga QKUK-ja se e reja, e cila ishte në muajin e 34-t të shtatzanisë, kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj mbetet i plagosur rëndë dhe po merr trajtim mjekësor.

Një tjetër detaj i bërë publik nga hetimet është se në vendngjarje policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e procedurave për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes, dinamikën e të shtënave dhe motivin.

Deri në këtë fazë, nuk janë bërë publike të dhëna të tjera që do të mund të qartësonin se si ka ndodhur ngjarja brenda banesës.

Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa pritet që autoritetet e Kosovës të japin informacione të tjera në vijim.

Top Channel