Sezoni 2026/27 nis në mënyrën më të mirë për Juventusin. Zonja e Vjetër u mjaftua me një fitore me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Frosinones në fushën e kësaj të fundit për të marrë 3 pikët e para në Serie A.

Juventus e nisi vrullshëm ndeshje dhe në minutën e 22 arriti të marrë avantazhin në rezultat në 1-0 falë golit të Bremer që shënoi më një gjuajtje me kokë. Pas këtij momenti bardhezinjtë patën edhe dy shanse të tjera për të shënuar me Kolo Muani dhe Conceiçao që shpërdoruan rastet e tyre nga vetëm pak metra larg portës. Frosinone u pa të shkojë në portën juventine në minutën e 40 kur Bracaglia vuri në provë Vicarion. Topi i kthyer prej tij shkoi te Kvernadze, por gjuajtja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme dhe pjesa e parë u mbyll 1-0

Në fillimin e pjesës së dytë më i rrezikshmi në fushë ishte Conceiçao që pati në këmbët e tij golin e dytë, kur i vetëm u gjet para portës bosh, por portugezi e gjuajti topin shumë lart. Juventus e kishte të vështirë të mbyllte ndeshjen dhe Frosinone u përpoq që t’i kundërpërgjigjej me Finin, gjuajtja e të cilit u devijua nga Vicario në goditje këndi. Me kalimin e minutave ritmi i lojës ra dhe Spalletti hodhi në fushën e lojës forca të reja. Zhegrova i sapoaktivizuar tentoi të hedhe një krosim në zonë, por asnjë futbollist nuk arriti që ta shfrytëzojë e ta dërgojë në rrjetë topin. Në minutat e fundit, stafi teknik i bardhezinjve u shqetësuan nga Vicario që u detyrua të zëvendësohej. Portieri i Zonjës së Vjetër pati një problem në pulpë dhe ia la vendin Perin. Juventus rrezikoi shumë në castet finale teksa Frosinone goditi tramvesën me Calvanin, por gjithsesi sfida u mbyll 1-0 për bardhezinjtë që shënuan fitoren e parë në sezonin e ri.

Top Channel