Binjakët shqiptarë, Cristian dhe Stiven Shpendi, e kanë nisur sezonin 2026-27 në Serie B ashtu siç e mbyllën të kaluarin: me gola dhe spektakël. Që në javën e parë të kampionatit italian, të dy vëllezërit kanë gjetur rrugën e rrjetës duke vazhduar “duelin” e tyre pozitiv në distancë.

Të shtunën ishte Stiven ai që mori vëmendjen, duke vulosur fitoren 1-0 të Empolit përballë Cremoneses me një gol deçiziv. Përgjigja nuk vonoi nga vëllai i tij binjak, Cristian. Të dielën, sulmuesi i Kombëtares shqiptare hapi llogarinë e golave për Cesenën në ndeshjen kundër Sampdorias. Në minutën e 16-të, ai shfrytëzoi më së miri një asist nga Guidi dhe dërgoi topin në rrjetë me kokë, duke i bërë një nisje të bukur trajnerit të ri, Alessandro Diamanti, në debutimin e tij në stolin bardhezi.

​Të lindur në Ankona nga prindër shqiptarë, binjakët po konfirmojnë sërish se janë ndër talentet më premtues në futbollin italian. Edhe sezonin e shkuar ata shkëlqyen në Serie B, ku Stiven realizoi 15 gola për Empolin, ndërsa Cristian shënoi 12 herë për Cesenën.

​Për Cristianin, i cili prej vitit të kaluar është bërë pjesë e rregullt e Kombëtares A të Shqipërisë, ky gol shton akoma më shumë zërat e merkatos. Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë tërhequr tashmë vëmendjen e disa klubeve nga Serie A, të cilat po e ndjekin nga afër situatën e sulmuesit kuqezi.

Top Channel