Egnatia e nis kampionatin aty ku e la sezonin e kaluar: duke fituar dhe duke dhënë një mesazh të qartë për rivalët.

Kampionët e Shqipërisë mposhtën 3-0 Tiranën në Rrogozhinë, në javën e parë të Abissnet Superiores, në një ndeshje që praktikisht u mbyll që në 45 minutat e para. Rrogozhinasit e nisën furishëm dhe që në minutën e 9-të Ibrahim Diabaté zhbllokoi takimin. Tirana nuk pati kohë të reagonte, pasi në të 29-ën Numan Ajetovikj dyfishoi avantazhin.

Dhe goditja e tretë erdhi pak para pushimit. Në minutën e 39-të, Eljon Sota shënoi golin e tretë, duke e kthyer pjesën e parë në një festival golash për kampionët dhe në një makth për bardheblutë. Në fraksionin e dytë, Egnatia uli ndjeshëm ritmin. Me rezultatin tërësisht në favor dhe ndeshjen praktikisht të vendosur, kampionët administruan avantazhin, ndërsa Tirana nuk gjeti forcën për të ndryshuar historinë e takimit.

Për Egnatian, një tjetër avantazh ishte edhe ritmi i garave. Skuadra e Rrogozhinës ka qenë në aksion gjatë gjithë verës në kupat europiane, duke zhvilluar ndeshje të forta dhe duke marrë një ritëm konkurrues që Tirana nuk e kishte në të njëjtin nivel. Në fund, 3-0 për Egnatian, një nisje perfekte për kampionët dhe një alarm i fortë për Tiranën, që e nis edicionin e ri me një humbje të thellë dhe pa mundur të gjejë rrugën e portës kundërshtare.

Top Channel