Me besim, i emocionuar, por edhe pak nervoz. Janë këto emocione në kundërshtim të njëra-tjetrës që i ndjen Ruben Amorim, pak orë përpara debutimit të tij në Serie A në pankinën e Milanit që do të përballet me Torinon.

E megjithatë trajneri portugez në konferencën për shtyp përpara ndeshjes nuk u fsheh dhe u tregua i qartë; Milani i tij duhet të fitojë çdo ndeshje, por në të njëjtën kohë ai është i vetëdijshëm që është vetëm në hapat e parë të një projekti të gjatë.

‘Gjëja më e rëndësishme është që të jemi Milani, nuk mund të mendojmë për krahasimet me të kaluarën-tha Amorim-duhet të mendojmë si grup, duam të kemi më shumë zotërimin e topit dhe do të duket menjëherë. Në të njëjtën kohë objektivi është që të çojmë sa më shumë lojtarë në zonën kundërshtare  dhe të mbrojmë mirë siç bënte Allegri. Ajo që ka rëndësi është të mos bëjmë krahasime me të. Nuk pres që të shoh produktin final që nesër, por ndërtojmë një projekt’.

Për Amorim ishte e pamundur që të mos fliste edhe për Rafael Leaon dhe merkaton e transferimeve

‘Leao në këtë moment nuk është i rëndësishëm ashtu siç nuk është e rëndësishme të flasim për merkaton-vijoi Amorim-ajo që ka rëndësi është ndeshja me Torinon. Siguroisht që ai nuk do të jetë në këtë ndeshje, të shohim në të ardhmen. Kanë ardhur futbollistë me kualitete dhe që mund të rriten; faktor i rëndësishëm ky për një projekt. Ajo që na mungon tani është të jemi skuadër, të jemi një familje. Nuk mjafton të kesh futbollistët më të mirë për të fituar ndeshjes. Talenti sigurisht nuk na mungon. Tani e nevojshme është të jemi skuadër’.

Më pas Amorim u fokusua te ndeshje me Torinon me portugezin që ngriti tonet për të mbajtur lart tensionin brenda ekipit.

‘Vitin e kaluar Milani bëri ndeshje të mëdha kundër skuadrave të elitës, ndërsa te ato më të voglat vëmendja ra-shtoi Amorim-për këtë arsye, tani është Torino, skuadra më e mirë në botë. Duhet të jemi të aftë të mposhtim këto skuadra duke ndërtuar një mentalitet. Vitin e kaluar e humbëm zonën Champions në ndeshjen e fundit ndaj Cagliarit.

Amorim më pas bëri një analizë se cilat janë skuadra favorite për titullin në këtë sezon

‘Mund të thuhet që Interi ka një identitet që nis që nga Simone Inzaghi, është skuadra më e përgatitur-tha trajneri i Milanit-pastaj është Gasperini që e njeh të gjithë kampionatin. Como ka shpejtësi, forcë, por ata nuk kanë përgjegjësinë tonë. Ne e kemi dhe kjo mund të kushtëzojë disa futbollistë’

Përsa i përket debutimit të tij, Amorim nuk i fshehu emocionet e tij

‘Jam i emocionuar për nisjen e këtij sezoni, por në të njëjtën kohë edhe në ankth-tha trajneri portugez-por besoj se kjo është normale. Kam besim sepse djemtë po punojnë mirë, po bëhemi një skuasër. Presioni është i njëjtë si ai që kisha edhe në klube të tjerë, që nga kategoria e tretë’.

Top Channel