Nafta mund të arrijë në 3 euro për litër në Itali brenda pak muajsh, nëse përshkallëzohet kriza në Lindjen e Mesme dhe nuk zhbllokohet situata në Ngushticën e Hormuzit. Alarmi është ngritur nga presidenti i FederPetroli Italia, Michele Marsiglia.
Ai sqaroi se nuk bëhet fjalë për një rritje të menjëhershme, por për një skenar të mundshëm në mungesë të uljes së tensioneve. Sipas Marsiglias, vazhdimi i krizës mund të shkaktojë një përmbysje të fortë të tregjeve energjetike.
Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka arritur në 92–93 dollarë për fuçi, ndërsa gazi tregtohet rreth 63 euro për megavat-orë. Pikërisht rritja e gazit konsiderohet shqetësimi më i madh për familjet dhe bizneset italiane, pasi pasojat mund të ndihen në faturat e muajve tetor dhe nëntor.
Rritja e çmimeve po zbeh edhe efektin e uljes me 17 cent të akcizës së naftës, masë që skadon më 25 gusht. FederPetroli paralajmëron se edhe strategjia italiane për diversifikimin e furnizimeve mund të vihet në rrezik, nëse kriza në Lindjen e Mesme zgjerohet.
Top Channel