Pas shumë muajsh dhe pas shumë dyshimesh, telenovelës Curtis Jones i erdhi fundi, anglezi është zyrtarisht futbollist i Interit. Mesfushori anglez transferohet te klubi milanez nga Liverpool për vlerën e 30 milionë eurove plus 5 milionë euro si bonuse për një total prej 35 milionë eurosh.

Pas kryerjes së vizitave mjekësore, Curtis Jones nënshkroi me kampionët e Italisë një kontratë 5 vjeçare deri në 2031 dhe me shumë mundësi të shtunën do të jetë në San Siro për të ndjekur ndeshjen e parë të kampionatit të skuadrës së tij të re me Monzan. Curtis Jones më pas dha edhe intervistën e tij të parë si futbollist i Interit për kanalet zyrtare të klubit.

‘Kam ndjesi fantastike, kishte kohë që doja të vija te Interi. Jam shumë entuziast-ishin fjalët e para të Curtis Jones që më pas tregoi arsyet që e shtynë atë të transferohej në Milano.

‘Mendoj se kanë rezultuar të rëndësishme ndjesitë që pata vitin e kaluar kur u përballa me zikaltrit në Champions League, për pasionin e tifozëve që kanë kundrejt Interit-vijon Curtis Jones-sigurisht që mund të flasim edhe për trofetë, historinë e klubit dhe futbollistëve të mëdhenj që kanë veshur këtë fanelë. Por pasioni i tifozëve ishte vendimtar; isha në fushën e San Siros dhe dëgjoja shumë mirë sa këndonin dhe sa e mbështesnin futbollistët. Vij nga Liverpooli dhe gjithnjë jam mësuar të ndjej dashurinë dhe mbështetjen e tifozëve, gjithnjë e kam ndjerë këtë lidhje të fortë. Shpresoj të jem në gjendje që të krijoj një lidhje speciale edhe me tifozët e Interit’.

Top Channel