Nuk ka fitues në sfidën e parë të playoffit të Europa League mes Egnatias dhe Lillestrom. Në Arena Egnatia 90 minutëshi i aktit të parë u mbyll me barazimin 0-0 në një ndeshje ku skuadra rrogozhinase pati shanset e saj për shënim por pa sukses dhe tani fati i kësaj përballjeje do të vendoset në sfidën e kthimit që do të luhet pas një jave në Norvegji.

Në Egnatia Arena sfida nisi  me një gol dhe ishin norvegjezët që shënuan me Gabrielsen në minutën e 5, pas ekzekutimit të një goditje dënimi, por për fatin e mirë të kampionëve të Shqipërisë, goli u anulua nga sistemi VAR për pozicion jashtë loje.

Pas minutave të para të vështira, Egnatia filloi ta marrë veten dhe nisi të shfaqej në portën e Lillestrom. Sinjalin e parë e dha Adjesa, gjuajtja e të cilit u ndal nga portieri. Pak minuta më vonë po ky futbollist rrezikoi sërish ndërkohë që edhe Albanese pati mundësinë e tij. Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0.

Në pjesën e dytë Egnatia sërish me Albanesen pati mundësinë e saj për të shënuar, por shansin më të pastër e pati Gruda që nuk e pati fatin me vetë pasi gjuajtja e tij u ndal nga shtylla, ndërsa në minutën e 73 ishte Egnatia që u ndihmua nga fati pasi Lillestrom iu afrua golit por Va me portën bosh nuk mundi të shënojë dhe rezultati mbeti 0-0 deri në fund të ndeshjes duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.

Top Channel