Përshkallëzimi i qëllimshëm i tensioneve me Turqinë nuk është thjesht një veprim i pamatur, është një budallallëk deklaroi ish-kryeministri i Izraelit Ehud Barak, i cili nuk ia kurseu kritikat pasardhësit Benjamin Netanyahu.
Sipas tij, veprimet e Netanyahut i japin “një shtysë të fortë të motivit politik” për të shkuar drejt zgjedhjeve, duke krijuar një sërë tensionesh të sigurisë që mund të nxisin ankthin në publik. Turqia nuk është “as Irani dhe as Siria e Assadit” dhe se problemet me Ankaranë mund të trajtohen përmes diplomacies, theksoi ai.
“Nuk ka asnjë problem strategjik me Turqinë që nuk mund të zgjidhet, zbutet ose shtyhet në planin afatgjatë përmes kontakteve diskrete, të koordinuara me SHBA-në, si dhe përmes ndikimit amerikan në Turqi dhe Siri. Netanyahu ka dalë plotësisht nga binarët”, tha Barak.
Ish-kryeministri izraelit argumentoi se Netanyahu nuk është i përqendruar te siguria e Izraelit, por te mbijetesa e tij politike, duke e krahasuar me “një kumarxhi të fiksuar pas fatit”.
“Sjellja e tij e pamatur po alarmon thellësisht aleatët dhe miqtë tanë të paktë të mbetur në mbarë botën dhe në rajon”, paralajmëroi Barak.
Top Channel